Kronikë

Aktorja shqiptare zhduket pa gjurmë në Los Angeles

Një aktore e re shqiptare është zhdukur pa gjurmë në Los Angeles dhe policia e këtij qyteti ka kërkuar ndihmë për gjetjen e saj.

Adea Shabani nuk është lajmëruar që prej të premtes së javës së kaluar. Familja dhe miqtë e saj kanë thënë se kjo gjë është e pazakontë për 25-vjeçaren.

Miqtë kanë thënë për ABC7 se shqiptarja nga Maqedonia kishte lënë derën e banesës të hapur, sikur e kishte ndërmend të kthehej pas pak, transmeton Koha.net.

Për 25-vjeçaren që tash e dy vjet është në Los Angeles për studime në aktrim, kishin filluar të dyshonin për zhdukje në momentin kur mungoi në një ligjëratë të rëndësishme në “Stella Adler Academy of Acting” dhe kur ajo nuk postoi asgjë nëpër rrjetet sociale.

Mesazhin e fundit që e kishte shkruar Shabani ishte për disa qirinj të kuq, por nuk kishte dhënë ndonjë detaj për vendndodhjen e saj, kanë thënë të afërmit e saj.

Shoqëria ka filluar të shpërndajë njoftime për shqiptaren e zhdukur, për të cilën LAPD ka thënë se për herë të fundit është parë në 1700 block of Wilcox Avenue në Hollywood më 23 shkurt rreth orës 11.

“Trajtojeni sikur të ishte pjesë e familjes tuaj, sikur pjesë të shoqërisë tuaj sepse më besoni, nëse e njoftoni këtë vajzë, ajo do të ishte mike e mirë për këdo që e njeh atë”, ka thënë Lisjen Jovanovski.

“Nuk më kthente mesazhet. Mungonte, prandaj jam shqetësuar”, ka thënë miku i saj Antonio Escovar.

“Kjo nuk është zakon i saj. Nuk është ajo. Diçka ka ndodhur me të dhe nuk e dimë ku është. Është e tmerrshme, shpresojmë se është gjallë”, ka thënë Emma Joe, shoqe e Shabanit.

Nëna e Adeas ka angazhuar një hetues privat për të kërkuar vajzën dhe ka udhëtuar nga Maqedonia.

{gallery}