KGJK-ja i kërkon Prokurorisë të përmbahet nga komentimi i rasteve gjyqësore

KGJK-ja i kërkon Prokurorisë të përmbahet nga komentimi i rasteve gjyqësore

01 mars 2018 18:34

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka reaguar ndaj komenteve që ka dhënë Prokuroria Themelore e Prishtinës, lidhur me rastin e lirimit të një të dyshuari për keqpërdorimin e 32 mijë eurove.

Me një reagim për media, KGJK-ja i ka çuar porosi Prokurorisë që të përmbahet nga dhënia e /opinioneve/deklarimeve lidhur me rastet gjyqësore gjatë vendimmarrjes, sepse deklarimet/opinionet e tilla nuk kontribojnë në ruajtjen e ndërtimit të imazhit të sistemit gjyqësor.

Lajmin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e kishte transmetuar edhe Koha.net.

“KGJK reagon në shkrimet e portalit Koha.net, të datës 26.02.2018 me titullin ‘Lirohet i dyshimti për keqpërdorim të 32 mijë eurove’. KGjK, shpreh pakënaqësinë lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se gjyqtarëve u garantohet me Kushtetutë dhe ligj, pavarësia dhe paanshmëria gjatë ushtrimit të funksionit të tyre. Andaj, kërkojmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të përmbahet nga dhënia e /opinioneve/deklarimeve lidhur me rastet gjyqësore gjatë vendimmarrjes, sepse deklarimet/opinionet e tilla nuk kontribojnë në ruajtjen e ndërtimit të imazhit të sistemit gjyqësor”, thuhet në reagim.

“Gjithashtu, KGjK, ju njofton se: Vendimet e shkallës së parë, duke përfshirë edhe rastin në fjalë nuk janë përfundimtare, pra janë të apelueshme, që nënkupton që çdo palë e pakënaqur duke përfshirë edhe Prokurorinë u garantohet e drejta e ushtrimit të ankesës në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet më tej aty.

Ndërkaq, në lajmin që kishte dhënë Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhej se “Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda më 27.06.2016, ka ngritur aktakuzën kundër të akuzuarit, Abit Kastrati, për veprën penale “Përvetësimi nga ushtrimi të detyrës” nga neni 340 paragrafi 3 të KPK , duke konsideruar se aktakuza e Prokurorisë ka qenë e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ku kjo argumentohet edhe me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, PN nr.895/17 të datës 06.11.2017, kur e ka refuzuar si të pabazë ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Abit Kastrati, pasi që në atë aktvendim ndër të tjera është cekur se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohet i akuzuari”.

“Ndërsa, sa i përket asaj se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, më 23.02.2018 ka bërë shpalljen e aktgjykimit lirues ndaj të akuzuarit të lartcekur për veprën penale të lartcekur, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ende nuk e ka pranuar aktgjykimin lirues nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe sapo ta pranojmë aktgjykimin, Prokuroria do ta shfrytëzoj të drejtën ligjore për ushtrimin e mjetit juridik të ankesës. Prokuroria Themelore në Prishtinë, sqaron opinionin lidhur me deklaratat e gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, i cili të premten, e ka liruar nga akuza për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, të akuzuarin Abit Kastrati”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas atij njoftimit, gjykatësi Ibrahimi, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se “me asnjë provë nuk vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale. Ai akuzohet se ka shkaktuar dëm 32.000.00 euro, e më asnjë provë nuk është vërtetuar se ka bërë dëm 1.000 apo 30.000 euro’’. Po ashtu, sipas Ibrahimit, thuhej në njoftim, organi i ndjekjes ka qëndruar mbi 10 vjet në këtë lëndë me vetëm një provë që nuk ka provuar elemente të veprës penale, ndërsa ka shtuar se ka menduar se gjatë shqyrtimit gjyqësor prokuroria do të propozoi ndonjë ekspertizë apo provë tjetër.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme