Aktakuzë kundër 10 të dyshuarve si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit” Foto: Koha / arkiv / ilustrim

Aktakuzë kundër 10 të dyshuarve si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”

28 shkurt 2018 15:40

Pas një punë intensive dhe pas grumbullimit të provave, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “dhunim”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”.

“Të pandehurit, M.J, A.Ll, R.S, S.R, R.T, B.K, S.B, H.H, B.L. dhe L.L., me datë 15.05.2015, si pjesëtarë të organizatës kriminale ‘Syri i Popullit’, me të ashtuquajturit 'Avni Rrustema', diku, në një shtet evropian, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017, të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetues, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016. Të pandehurit kanë pasur edhe fondin të quajtur ‘Liria e Atdheut’, kjo organizatë ‘Syri i Popullit’ në bazë të planit të shkruar kanë pasur një strukturë të organizuar të hierarkisë të cilët janë përfshirë me emra të koduar dhe secili i ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta, kështu që me 13.03.2017 i pandehuri M.J. ka tentuar ta vras të dëmtuarin A.V. si ish funksionar i Kosovës, i viteve të tetëdhjeta i cili sipas planit të tyre operativ, është vlerësuar i pari në listë si tradhtar i vendit. Me këto veprime kanë kryer veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’ nga neni 144 paragrafi 4 lidhur me nenin 136 të KPRK-së”, ka thënë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, sipas PSRK-së, i pandehuri A.Ll. akuzohet se derisa ishte në qendrën e paraburgimit në Lipjan, duke e përdorur kanosjen dhe forcën, e ka kryer veprën penale “dhunim”.

“Po ashtu, me rastin e bastisjes së shtëpisë së të pandehurit B.K. me datë 25.05.2017, është konfiskuar një pistoletë e gazit ‘Voltran Mini’ e kalibrit 8 mm me gaz, të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent. Gjithashtu, në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion i pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent. Me këtë ka kryer veprën penale ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet më tej në komunikatë.

“I pandehuri M.J., duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes, ngase vuan nga çrregullimi skizoafektiv- tipi manikal, me karakter të përhershëm, me psikosimptomatologji të shkallës nga mesatare në të rëndë, me datë 13.03.2017 në ora 07:50 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit A.V. në rrugën ‘Hajdar Dushi’ në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 1981 dhe çështjes kombëtare. Me këtë kishte për të kryer veprën penale ‘hakmarrje”, thekson më tej PSRK.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për pezullimin e hetimit kundër S.Xh., A.A., A.H. dhe M.A., të cilët deri më tani kanë qenë të paarritshëm për Prokurorinë, por vlen të theksohet se Prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale ligjore.

Ndaj personave R.S., Xh.B., A.P., E.Ll., A.S dhe A.I., janë zhvilluar hetimet, mirëpo Prokuroria Speciale nuk ka gjetur prova të mjaftuara për ngritjen e aktakuzës. Në mungesë të provave janë pushur hetimet.

“PSRK-ja, ndaj 17 personave, pasi i ka ndërmarrë veprimet hetimore për shkak të kompetencës lëndore, për këta persona e ka dërguar rastin në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në kompetencë të mëtejme. Në këtë aktakuzë i kemi 2 të dëmtuar ndërsa në cilësi të dëshmitarëve janë propozuar 61 persona. Ndërsa, nga 10 të akuzuarit 4 prej tyre gjinden në masën e paraburgimit, 1 në arrest shtëpiak dhe 1 nën masën lajmërim në Polici”, përfundon PSRK.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme