Kronikë

Dy zyrtarë të Inspektoratit Policor suspendohen, shtrembëruan faktet për një rast të korrupsionit

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë të tij pasi dyshohet se kanë shtrembëruar faktet gjatë hetimit të një rasti të ndjeshëm të korrupsionit.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, ka suspenduar Burim Raqin, udhëheqës i Departamentit të Hetimeve dhe Qerim Bytyqin, udhëheqës i divizionit Jugor të Hetimeve, pasi kanë insistuar në kthimin në punë të Emin Beqirit.

Koha Ditore raporton se dy të suspenduarit para disa javësh kanë rekomanduar që Beqiri të kthehet në punë si shef i Krimeve Ekonomike, edhe pse Prokuroria Speciale ende nuk i ka mbyllur hetimet ndaj tij.

“Inspektorati Policor i Kosovës njofton opinionin se do të veproj konform ligjit dhe do të ndërmarr masat e nevojshme sipas procedurave në fuqi edhe kur bëhet fjalë për zyrtarë të IPK-së”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

“Rasti më tej do të trajtohet nga Ekipi Hetimor dhe Komisioni Disiplinor, të cilët do të zhvillojnë procedurat e parapara disiplinore. Gjithashtu lidhur me këto veprime është njoftuar Prokuroria e Shtetit për të trajtuar dyshimet për veprimtari penale”.