Kapet “peshku” i parë i madh i krimeve ekonomike në Shqipëri

Kapet “peshku” i parë i madh i krimeve ekonomike në Shqipëri

21 shkurt 2018 09:55

Biznesmeni Idlir Karkini, miku i politikanëve është shpallur në kërkim nga prokuroria e Kavajës, pasi ka përvetësuar sipërfaqen e tokës, që ishte në pronësi të Komandadës së Forcave Ajrore në plazhin e Spillesë.

Kjo sipërfaqe toke shërbente si poligon qitje nga Komanda Ajrore, por në mënyrë të kundërligjshme është regjistruar në hipotekë në emër të biznesmenit Idlir Karkini.

Prej ditës së djeshme Karkini është shpallur në kërkim, ndërkohë dyshohet se operacioni për arrestimin e biznesmenit të njohur është dekonspiruar, shkruan Shqiptarja. Karkini administron kompanitë “Idea-Tel” dhe “Alb Communication Consult” ndërkohë që është ka fituar disa vite më parë dhe tenderin për menaxhimin e shërbimit të mirëmbajtjes për Radarët Detarë të Ushtrisë dhe për mirëmbajtjen e rrjetit të digjitalizimit të TVSH, me vlerë 8.8 milionë euro, aferë kjo e denoncuar nga “Shqiptarja.com” tre vite më parë. Karkini sipas tenderit të fituar merr çdo vit 2 milionë euro nga Televizioni Publik.

Karkini morri 1.15 mld lekë dhe pronë në Spille

Rasti më flagrant i këtij abuzimi është një pronë e Ministrisë së Mbrojtjes në Spille (poligon qitje) e cila nuk i është regjistruar kësaj ministrie pas tre kërkesave radhazi nga ky institucion në hipotekën e Kavajës, por ndërkohë atë e ka privatizuar biznesmeni Karkini.

Prokuroria thotë se ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të biznesmenit Idlir Karkini. Gjatë kësaj periudhe Karkini ishte kontraktuar nga ministria e Mbrojtjes për shërbimit të mirëmbajtjes së radarëve me një vlerë prej fondin financiar 115.233.655 afërsisht 97 milion lekë në muaj.

Dokumentet falso që çuan në grabitjen e poligonit

Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal në polici. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit.

Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit.

“Nga Këshilli qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë”-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Si funksiononte skema

Pas një hetimi shumë mujor të Prokurorisë së Kavajës u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë.

Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njëjtin fakt penal. Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shit-blerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin. Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 persona investitorë rezultojnë të jenë banorë të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetarë të rretheve të tjera.

Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa pasur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme