Kronikë

Në Prishtinë konfiskohet një sasi e madhe duhani

Descriptive Text

Një aksion i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës në tregun e Prishtinës dhe në një shtëpi private ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të duhanit, raporton KTV.

Mbi 40 kilogramë duhan i papërpunuar si dhe rreth 600 pako me cigare pa banderola u konfiskuan në këtë aksion.

Gjithashtu në këtë aksion afër Xhamisë së Madhe ky njësit ka konfiskuar edhe një veturë, që në bagazhin e saj ka pasur rreth 200 pako cigare pa banderola.

Aksioni ka vazhduar edhe në një shtëpi private të njërit prej shitësve ambulantë ku edhe aty është konfiskuar duhan.

Ndërsa, vetëm gjatë vitit të kaluar Dogana e Kosovës ka konfiskuar dhe asgjësuar rreth 10 tonë duhan. Duhani hyn në listën e mallrave ekskluzive dhe për të cilat paguhet tatim më i lartë, duke u bërë shpeshherë pjesë e tentimeve për kontrabandim.