Kronikë

I mbante të fshehura armët në stallë, policia ia sekuestron

Stacioni Policor në Prizren raporton që pasi kishin siguruar informacione të besueshme se një i dyshuar nga fshati Zhur kishte në posedim dy armë të gjata e kanë ftuar të paraqitet ne stacion.

“Gjatë intervistës, i ballafaquar me provat, i njëjti ka treguar se armët i mban të fshehura në stallë. Krim teknikët e kanë sekuestruar: një pushkë gjysmë automatike dhe një pushkë gjahu”, thuhet në raport.

Ndërkaq, sipas policisë, rasti i dytë është zbuluar sot në mesnatë nga policët e trafikut rajonal në një pikë kontrolli në fshatin Grejkoc.

“Një automjet është ndaluar për kontroll dhe në çantën e krahut tek pasagjeri është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “ZORAKI M 906 B” me 4 fishekë të kalibrit 7.65mm”, thuhet në raportin e policisë.

Për të dy rastet është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar inicimin e rasteve, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.