Një muaj paraburgim Faton Fetiut për tentimvrasjen e djeshme Në foto autori i plagosjes, Faton Fetiu

Një muaj paraburgim Faton Fetiut për tentimvrasjen e djeshme

14 shkurt 2018 15:49

Gjykata Themelore në Prishtinë, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.F. (Faton Fetiu), për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Fetiut i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji dhe atë duke filluar prej data 13.02.2018 deri me 13.03.2018, raporton Koha.net.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratisej me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.F. është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale dhe zhvillimin e papenguar të procedurës”, thotë kjo Gjykatë në njoftimin për media.

Kujtojmë se Faton Fetiu dyshohet se me datën 13.02.2018, rreth orës 07:38, në lagjen “Marigona”, komuna e Graçanicës, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Premtim Gojani, të cilin, thotë Gjykata, “e ka qëlluar me armë zjarri dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore në kokë dhe gjoks, andaj me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Sipas informatave të Koha.net, Faton Fetiu ka qenë dhëndër i Premtim Gojanit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme