Kronikë

Një ton farë hashashi u fut nga Morina me etiketë spinaqi

Në “PIK” Morinë është futur 1 ton ngarkesë farë hashashi me etiketë “farë spinaqi”, AKU e kaloi pa marrë mostra analizash, raporton Koha Jonë. Pas publikimit, si zakonisht do thonë “Nuk është e vërtetë”, por për shefat dhe shërbimet kontrolluese kufitare të AKU, nuk është rasti i parë që ka ndodhur.

Ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), deklaroi dje me një njoftim zyrtar të dërguar edhe në “Telegraf.al”, se “me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Dritan Sejko, brenda dy javëve janë kryer 1200 inspektime në 12 qarqet e vendit, për të garantuar sigurinë ushqimore në tregje”.

Burime nga drejtoria e Përgjithshme e AKU, na informuan për një debat të ndodhur 3 ditë më parë në kupolën e kësaj drejtorie, lidhur me një ngarkesë të futur në territorin shqiptar nga Kosova, për të cilën është thënë “nën zë” edhe nga policë kufitarë, se ka qenë farë droge e cila është futur pa asnjë kontroll.

Sipas burimit të informacionit që është pjesë drejtuese e AKU qendrore, për importin e asaj ngarkese nga pika e kalimit kufitar të Morinës në Kukës, kishte informacion të plotë paraprak, që ishte farë droge, por që do të kalonte në Shqipëri si “farë spinaqi”. Mësohet, se shërbimeve të kontrollit policor, doganor e të AKU të turnit në PIK, u ishin dhënë “instruktazhet” që kjo ngarkesë e maskuar si farë droge, të kalonte formalisht me letra të rregullta si “farë spinaqi”, që lejohet të importohet e të kultivohet në territorin shqiptar.

Ka një ligj për ushqimin, të cilin AKU duhet ta zbatoj pa asnjë tolerancë: Kontrollin e produkteve dhe farërave që futen në “PIK” në kufi, me marrje mostrash e analizash laboratorike të tyre, dhe që janë strukturë administrative dhe kontrolluese e shërbimit të punonjësve të AKU, të cilët janë emëruar në atë detyrë në pikat kufitare e doganore.

Pikërisht për të bërë këtë kontroll edhe me analiza laboratorike, deri edhe tek cilësia sasia dhe siguria e barit kullotë për bagëtitë, që importohet nga jashtë vendit.