Aktakuzë ndaj të përfshirëve në shitblerje të armëve në SHBA Ne foto: Albert Veliu

Aktakuzë ndaj të përfshirëve në shitblerje të armëve në SHBA

06 shkurt 2018 14:35

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinë kundër 3 të pandehurve, të akuzuar për veprën penale të “krimit të organizuar lidhur me veprën penale trafikimi i armeve”.

Rasti është realizuar me bashkëpunimin të ngushte dhe shume të suksesshëm të organeve të ligjit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Të pandehurit A.K., M.D. dhe D.P. duke vepruar si grup i organizuar kriminal në krye me Albert Veliun, kundër të cilit procedura penale po zhvillohet në SHBA, e kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë, në atë mënyrë që gjatë muajit prill dhe maj 2017 në territorin e SHBA-së, agjenti i policisë Amerikane nga DEA (Drug Enforcement Administration), nën mbulim, e ka lidhë marrëveshjen me Albert Veliun, për blerjen e 15 copë armë automatike kinse për luftën e narko-karteleve në Meksike dhe për këtë ia ka dhënë të hollat të pandehurit A.V. Pastaj, përmes të pandehurve e ka organizuar dorëzimin e armeve në Kosovë, ashtu që të pandehurit A.K., M.D. dhe D.P. ia kanë dorëzuar armët oficerit policor të Policisë së Kosovës nën mbulim, i cili ka qenë duke zbatuar masat e fshehta të blerjes se simuluar”, thotë Prokuroria Speciale, raporton Koha.net.

Më 27 qershor 2017, me një aksion të koordinuar mes policisë e prokurorisë së Kosovës dhe të SHBA-së, të gjithë të pandehurit janë arrestuar në flagrancë, në territoret e të dy shteteve.​

Kujtojmë se ky rast ka të bëjë me ish-shoferin e konsullatës së Kosovës në Amerikë, Albert Veliu, i njohur me nofkën “Beny Blanko”, i cili u akuza për trafikim me armë, zhvatje dhe pastrim parash.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës ishte njoftuar qershorin e vitit të kaluar zyrtarisht nga autoritetet e shtetit pritës për arrestimin e vozitësit të Konsullatës, Albert Veliu, i cili është në mesin dhjetë të arrestuarave për trafikim armësh e krim të organizuar.

Konsullata kishte konfirmuar se Veliu ka qenë i angazhuar si vozitës, në cilësi të stafit lokal, nga themelimi i konsullatës, pasi ka vetëm nënshtetësi amerikane dhe nuk gëzon kurrfarë privilegjesh dhe imunitetesh diplomatike.

“Pas pranimit dhe verifikimit të informacionit zyrtar me autoritetet vendëse për përfshirjen e dyshuar të tij në aktivitete të paligjshme dhe arrestimit të tij mbi bazën e këtyre dyshimeve, Konsullata e Përgjithshme në New York ka vendosur t'ia ndërpresë marrëdhënien e punës me efekt të menjëhershëm”, thuhej në njoftimin e MPJ-së.

Konsullata e Kosovës në New York, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e saj, pati thënë se do të bashkëpunojë me autoritetet e shtetit pritës nëpërmjet kanaleve zyrtare në lidhje me rastin e sipërpërmendur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme