Dy të arrestuarve për grabitje në Hajvali u caktohet masa e paraburgimit Foto: Ilustrim

Dy të arrestuarve për grabitje në Hajvali u caktohet masa e paraburgimit

06 shkurt 2018 11:21

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.K. dhe H.P. për veprën “Grabitje”.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj me datën fillestare 2 shkurt 2018.

R.K. dhe H.P. si dhe një tjetër person i panjohur, më 22 dhjetor të 2017-s në rrugën “Bekim Mavraj” në fshatin Hajvali të Prishtinës kishin hyrë në shtëpinë e viktimave M.J., H.M. dhe L.J. duke iu kërkuar të holla dhe duke i goditur fizikisht. Me këtë rast ata kishin marrë fillimisht 800 euro, por edhe portofolin e njërës prej viktimave ku ishin 1500 euro, 50 dollarë dhe dokumente të tjera, si dhe një telefon mobil.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat se të pandehurit po të gjenden në liri mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.K dhe H.P është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e tyre në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës”, thuhet në njoftim për caktimin e masës së paraburgimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme