Kronikë

Policia në Shqipëri, në gatishmëri të përforcuar pas reshjeve

Policia e Shtetit të Shqipërisë prej ditës së djeshme ka thënë të ketë kaluar në gatishmëri të përforcuar.

Në të gjitha qarqet, shërbimet e Policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë.

Policia thotë se në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcës.

“Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmëri të lartë dhe varka e gomone. Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit në Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjet policie të lartë dhe mjekun e zonës”, bën me dije Policia e Shtetit, raporton Koha.net.

Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.

Ndërkaq, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.

“Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë. Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme”, thotë më tej Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit thotë se është në gatishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë te kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.

Gjithashtu në rast neglizhence nga punonjësit e policisë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.