Kronikë

Gjykimi i gjykatësve që e shpallën të vdekur qytetarin e gjallë

Ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj dy ish-gjyqtarëve, që në vitin 2009 e kishin shpallur të vdekur një qytetar, në mënyrë që njëri nga gjyqtarët të përfitonte nga pasuria e tij. Ish-gjyqtari Sami Gërdovci dhe avokati Meriman Vehapi janë deklaruar të pafajshëm, raporton KTV.

Pas 9 vjet zvarritjesh, ka nisur shqyrtimi kryesor ndaj gjyqtarit Sami Gërdovci, i cili me udhëzimin e avokatit Meriman Vehapi e kishte shpallur të vdekur Rahim Bajramin, për të përfituar nga një parcelë toke, që ai e kishte blerë gjatë viteve të 70-ta nga Urosh Steviqi.

Dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Vehapi, i cili me dhjetëra herë ka refuzuar të paraqitet në gjykatë, deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë por për hir të gjykatës dhe për të mos zvarritur procesin, është përgjigjur pozitivisht.

Megjithëse, gjyqtarja Valbona Musliu-Selimi ka kërkuar nga ai të flasë vetëm për veprën penale, keqpërdorim i mirëbesimit, Vehapi ka rrëfyer edhe historinë e involvimit të tij në blerjen e asaj parcele, por ka mohuar që ka shitur parcela të tjera afër saj.

“Pala e dëmtuar nuk e ka asnjë provë që e ka blerë atë tokë. ...unë kam qenë i interesuar për një parcelë toke. Kanë ardhur tek unë Shefqet Gashi dhe gruaja e tij Sanija, m’i kanë prezantuar dokumentet dhe marrëveshja ka qenë që për atë parcele prej 5 ari e 75 metra katrorë t’ua jap në dorë 20 mijë euro, e më vonë 20 mijë të tjera përmes bankës ia kam dhënë Bodimir Steviqit...Unë kam shkuar në Gjykatë për ta përkthyer e atje me kanë njoftuar se toka ka masë të përkohshme. Me Ibrahim Shalën kemi shkuar te gjyqtari Sami Gërdovci dhe ai Shala i ka thënë gjyqtarit se më duket që Rrahim Bajrami ka vdekur. Ai e ka abroguar masën e sigurisë për tokën dhe marrëveshja ka qenë që pas 2 ditësh Shala ta dërgojë te gjykatësi certifikatën e të pandehurit”.

Por Ibrahim Shala, të cilit në këtë rast ia la fajin i akuzuari Vehapi, nuk përmendet fare në aktakuzë.

Në anën tjetër, Ibrahim Maxhuani, i cili është avokat i ish-gjyqtarit Sami Gërdovci, ka akuzuar prokurorinë për shkelje të Kushtetutës ngase nuk e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës siç parashihet me ligj.

Ai ka thënë se pavarësisht gabimit që kishte bërë klienti i tij, me ta kuptuar gabimin e kishte abroguar vendimin për largimin e masës së përkohshme ndaj tokës me ç’rast, sipas tij, nuk ka pësuar askush.

Nga prokuroria, si dëshmitar është paraqitur edhe i dëmtuari, Rrahim Bajrami, i cili ka rrëfyer historinë e blerjes së tokës e deri te momenti kur ka kuptuar se ishte shpallur i vdekur nga gjykata.

Ndërkaq, Prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi, ka thënë se përtej dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, dy të akuzuarit me dashje kanë kryer veprën penale dhe kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke lëshuar vendime të paligjshme, andaj ka kërkuar dënim meritor konform përgjegjësisë penale.