Kronikë

Policia jep detaje për bastisjen e mbrëmshme

Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë parë të premten në mesnatë në një operacion bastisjeje të disa lokaleve, me ç’rast tre persona janë arrestuar.

Mbështetur në Urdhëresën e lëshuar nga organet e drejtësisë, mbrëmë rreth orës 22:00, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dhe Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, si bartëse të operacionit policor, por të mbështetura edhe nga njësi tjera policore (NJSO dhe K9), ka zbatuar një plan operativ në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se ka realizuar kontroll në disa lokacione, gjegjësisht në kafe-bare dhe klube nate ku dyshohej për konsumim të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, transmeton Koha.net.

Gjatë kontrollit në disa nga lokalet, janë arrestuar tre të dyshuar si dhe janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një sasi e substancës narkotike, disa armë të ftohta (thika dhe boks hekuri).

"Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën ndaj çdo veprimtarie kriminale dhe zotohet se operacione të tilla do të ndërmarr edhe në të ardhmen për të siguruar rend dhe ligj", thuhet në njoftimin e tyre.