Trafikantët shqiptarë, gjykata britanike i dënon me 116 vite burg

Trafikantët shqiptarë, gjykata britanike i dënon me 116 vite burg

27 janar 2018 15:17

Një çantë shpine e braktisur në rrugët e kryeqytetit të Uellsit, Kardif, në gusht të vitit 2016, me 1.5 kg kokainë, ishte ajo që çoi në gjurmimin dhe hetimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në bashkëpunim mes trafikantëve shqiptarë dhe anglezë të drogës.

Plot 10 pjesëtarë të këtij rrjeti janë dënuar nga Gjykata britanike në Uells me 116 vite burg, pas një operacioni antidrogë të cilësuar si një nga më të vështirat dhe më të zgjaturat në kokë, ku 4 forca të ndryshme policore në Uells dhe Angli kanë mundur të vënë pas hekurave 7 grupe kriminale të lidhura me rrjetin shqiptar të furnizimit të kokainës, që qarkullonte miliona stërlina, transmeton tch.

Në mes të të dënuarve janë 4 shqiptarë, kreu i të cilëve, një 31-vjeçar me banim në Milton Keynes në veri të Londrës, i dënuar me 18 vite burg, konsiderohet nga policia si koka e rrjetit që ka furnizuar Uellsin me kokainë të një pastërtie mjaft të lartë.

Gjatë hetimeve, dedektivët mundën të zbulojnë në adresa të ndryshme rreth 450 mijë stërlina “cash” dhe bizhuteri e sende të shtrenjta në vlerën e 100 mijë stërlinave, si dhe disa kg kokainë.

Arrestimet janë kryer në Angli dhe Uells, si dhe në Marbella të Spanjës. Pas procesit gjyqësor, kryeinspektori dedektiv Julian Bull tha se, operacioni “Nightjar” ishte i fokusuar në identifikimin e furnizuesve kryesorë, efektivisht për t’i prerë kokën nëpërkës, duke e ditur se kjo do t’i çonte tek ambientet më të vogla të rrjetit të shpërndarjes së drogës në mbarë vendin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme