Policia e kategorizon si tentim vrasje sulmin ndaj vëllait të Rexhep Selimit

Policia e kategorizon si tentim vrasje sulmin ndaj vëllait të Rexhep Selimit

20 janar 2018 13:41

Policia e Kosovës e ka kategorizuar si tentim vrasje sulmin nda Islam Selimit, vëllait të deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës jep pak detaje nga ngjarja që ndodhi në Komoran të Gllogocit mbrëmë rreth orës 20:00.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull shqiptar. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, thuhet në raportin 24 orësh.

Islam Selimi, vëllai i deputetit të Vetëvendosjes në Kuvend, Rexhep Selimi ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Komoran të Drenasit, të premten në mbrëmje.

Burimet nga vendi i ngjarjes i kanë treguar KTV-së se Selimi i ka shkuar në shtëpi Xhevat Nuhës, me ç’rast ka pasur përplasje fizike mes tyre.

Nuha më pas e ka përdorur armën duke e plagosur Selimin, i cili ka marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Policia e Kosovës e ka arrestuar Nuhën në vendin e ngjarjes. Motivet e përplasjes nuk dihen ende.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme