Kronikë

Pas dy javësh kërkimi gjendet i zhdukuri në lumin Erenik

Policia e Kosovës njofton se sot, pas dy javës zhdukjeje, është gjetur trupi i pajetë i 82 vjeçarit nga Gjakova i cili më 5 janar ishte hedhur në lumin Erenik, transmeton Koha.net.

Të zhdukurin e ka gjetur ekipi i FSK-së.

“Pas një pune intensive sot me datën 19.01.2018 në ora 11:50 ekipi i FSK-së arriti të nxjerrë nga uji trupin e pajetë të Mustaf Haxhia i vetëhudhur nga ura e Moglicës mbi lumin “Erenik”, kosovar/ shqiptar i moshës 82 vjeçar nga Gjakova, njofton kumtesa policore .

Njësitet e FSK-së nuk pushuan së kërkuari në asnjë moment për 14 ditë rresht , të përkrahur kohë pas kohe edhe nga njësiti i zhytësve nga Mitrovica dhe ekipi i zjarrfikësve nga Gjakova edhe përkundër terrenit të pa përshtatshëm dhe vështirësive tjera.

Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i viktimës ju lirohet familjarëve .

Me datën 5 janar 2018 në orën 16:35 stacioni policor në Gjakovë ka marrë informatë nga një ankues lidhur me zhdukjen e prindit të tij.

Më pas Policia është informuar nga një dëshmitar se personi në fjalë kishte kërcyer nga ura që lidhë pjesën e qytetit me fshatin Moglicë dhe ishte hedhur në lumin Erenik, informatë kjo të cilën e kemi vërtetuar edhe përmes kamerave të sigurisë që janë të vendosura në qytet.