Kronikë

Gjyqtarja mungon në gjykimin e ish-inspektorëve të Prishtinës

Trupi gjykues nuk ishte komplet në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës. Gjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës u shty për mungesë të një gjyqtareje.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra njoftoi se për mungesë të gjyqtares Gërguri, seanca nuk mund të zhvillohet, transmeton rtk. Kalludra e shtyu seancën duke e caktuar më 23 shkurt.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Që të gjithë këta janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.