Kronikë

Policia inicion procedurë ndaj babait për vdekjen e 1-vjeçarit

Descriptive Text

Gjilan, 21 mars- Flakët e bombolës së gazit i kanë marrë jetën vogëlushit 1-vjeçar, Shpëtim Qerimi,nga fshati Llashticë, i cili ndërroi jetë të shtunën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai ka pësuar nga shpërthimi i bombolës së gazit në shtëpinë e familjes Qerimi në janar të këtij viti.

Familjarët e vogëlushit nuk kanë dhënë shumë informacione se cilët ishin shkaktarët që ndikuan në shpërthimin e bombolës së gazit dhe mënyra si është menaxhuar ajo situatë, mirëpo kanë deklaruar se në momentin që bombola kishte shpërthyer vogëlushi ishte gjendur afër.

Ismajl Qerimi, axha i të ndjerit, deklaron se mënyra qysh shiten në treg bombolat e gazit për të cilat nuk ka një inspektim për sigurinë e tyre dhe materiali që kanë në përbërje janë shkaktarë i shumë tragjedive që kanë ndodhur në Kosovë si pasojë e kësaj, duke përfshirë tragjedinë e familjes së tyre. “Bombola ka shpërthyer dhe siç ka ndodhur as vetë nuk e di. Dhe fëmija ka qenë afër. Ndërsa bombola nuk ka qenë e madhe, por ka qenë mesatare dhe flaka është ajo që e ka lënduar rëndë. Për mendimin tim këto bombolat e gazit që përdoren nga të gjithë ne janë të pasigurta, sepse nuk ka kontroll dhe shiten kudo dhe këto mundesh t’i gjesh edhe në treg tu shitë. Tek ne nuk po ekziston një mekanizëm që e kontrollon cilësinë e këtyre bombolave që i blen çdo qytetar. Për mendimin tim ai që ka një bombol në shtëpi e ka një bombë. Prandaj kjo që na ka ndodhur neve si familje mund t’u ndodhë edhe të tjerëve”, ka thënë ai

Ndërsa Policia Rajonale në Gjilan deklaron se ata nuk kanë pasur njohuri se djaloshi ishte shtrirë në QKUK, ngase askush nuk i ka informuar.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë, deklaron se ata kanë iniciuar një rast ndaj babait të vogëlushit të ndjerë për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

“Kjo ka ndodhur më 18 janar, mirëpo nuk është raportuar në Polici dhe kur ka vdekur si pasojë e bombolës së gazit. Ata në Prishtinë nuk na kanë lajmëruar mbasi ka vdekur. Rasti vetëm sa ka mbërri në Gjilan dhe për momentin është i klasifikum si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe sigurisht që është ndaj prindit të tij”, ka thënë Hashani

Ndërsa Hysni Arifi, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Plastike në kuadër të QKUK-së, deklaron se vogëlushi i ndjerë kishte pësuar djegie të rëndë, e cila klasifikohet si djegie e shkallës së tretë.