Vritet Oliver Ivanoviq Foto: Koha

Vritet Oliver Ivanoviq

16 janar 2018 09:36

-LAJMI PËRDITËSOHET VAZHDIMISHT-


Reagimi i Rusisë për vrasjen e Ivanoviqit

[22:46] - Ambasada e Rusisë në Beograd ka kumtuar se vrasja e Ivanoviqit është përpjekje për frikësim të popullatës serbe dhe dëshmi e mos sundimit të ligjit në Kosovë, transmeton Koha.net .

Siç ka përcjellë “blic” Ambasada është thellësisht e shokuar me sulmin.

Ka reaguar Ministria e Punëve të jashtme të Kosovës ka ftuar misionet ndërkombëtare në Kosovë që të ndërmarrin masa për ndalimin eventuale në rajon


Vrasja e Ivanoviqit mund të jetë kapur nga kamerat e sigurisë

[22:16] - Mediat serbe vazhdojnë të shkruajnë për vrasjen e sotme të Oliver Ivanoviqit, të cilat kanë paraqitur edhe trajektoren e qarkullimit të veturës së dyshuar, që mund të jetë përdorur në vrasje.

“Blic” shkruan se në objektin e partisë ku ishte duke hyrë Ivanoviq, kanë qenë dy kamera ballore, të cilat duhet ta kenë filmuar tërë ngjarjen e vrasjes.

Po ashtu, gjatë rrugës nga ka kaluar automjeti i dyshuar, i cili është gjetur i djegur pak me shumë se një kilometër nga vendi i atentatit, duhet të jetë gjiruar nga kamera tjera të sigurisë.

Po ashtu është prezantuar edhe një trajektore e rrugës që ka bërë vetura “Opel Astra”, e cila është gjetur e djegur.

Ndryshe, në raportin fillestar të autopsisë së Oliver Ivanoviqit, bëhet e ditur se ai u qëllua për vdekje me gjashtë plumba, nga një revole e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb, e njohur si “nëntëshe e gjatë”.

Më kërkesë të familjes, obduksioni është kryer në Qendrën Klinike Spitalore të Mitrovicës, i cili proces është udhëhequr nga mjekët e Institulit Ligjor të Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe mjekët serbë.

“Ka gjashtë, katër plumba kanë dalë nga trupi, dy plumba kanë mbetur në trup, lëndimet janë në zonën e pjesës së kraharorit dhe të gjoksit”, ka bërë të ditur për mediat serbe Milan Ivanoviq, drejtor i Qendrës Klinike dhe Spitalore në Mitrovicë.

Sipas tij, autopsia zgjati rreth katër orë dhe viktima ishte plagosur në organet vitale, aorta e sipërme, vena dhe mëlçi.

Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës. Nuk dihen motivet dhe as nuk ka të dyshuar për vrasjen e tij. E vetmja provë është një veturë e djegur e tipit “Opel Astra”, e cila është gjetur pas vrasjes në një lagje në veri.


Zbulohet lloji i armës që u përdor për vrasjen e Ivanoviqit

[21:07] - Në raportin fillestar të autopsisë së Oliver Ivanoviqit, bëhet e ditur se ai u qëllua për vdekje me gjashtë plumba, nga një revole e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb, e njohur si “nëntëshe e gjatë”.

Më kërkesë të familjes, obduksioni është kryer në Qendrën Klinike Spitalore të Mitrovicës, i cili proces është udhëhequr nga mjekët e Institulit Ligjor të Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe mjekët serbë, transmeton kp.

“Ka gjashtë, katër plumba kanë dalë nga trupi, dy plumba kanë mbetur në trup, lëndimet janë në zonën e pjesës së kraharorit dhe të gjoksit”, ka bërë të ditur për mediat serbe Milan Ivanoviq, drejtor i Qendrës Klinike dhe Spitalore në Mitrovicë.

Sipas tij, autopsia zgjati rreth katër orë dhe viktima ishte plagosur në organet vitale, aorta e sipërme, vena dhe mëlçi.

Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës. Nuk dihen motivet dhe as nuk ka të dyshuar për vrasjen e tij. E vetmja provë është një veturë e djegur e tipit “Opel Astra”, e cila është gjetur pas vrasjes në një lagje në veri.


Oliver Ivanoviq varroset të enjten në Beograd

[20:51] - Lideri i Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, i vrarë sot në Mitrovicë, do të varroset të enjten, në ornë 12:30 në Varrezat e Reja në Beograd në Alenë e Qytetarëve me Merita.

Qytetarë të Mitrovicës, por edhe nga e gjithë Serbia do t’i bëjnë nderime trupit të ekspozuar në hapësirat e partisë së tij.


Policia e Kosovës ka zbuluar pronarin e veturës nga e cila u vra Ivanoviqi

[19:26] - Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se PK-ja ka informacionet për prejardhjen e veturës nga e cila është vrarë Oliver Ivanoviqi.

Duke mos dhënë më shumë detaje të vrasjes së kryetarit të Iniciativës Qytetare, Maxhuni ka thënë se ka informacione të mjaftueshme që të gjurmohet pronari i veturës.

“Kjo veturë ka qenë pa targa, por ne kemi arritur që të kemi infot e nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e saj. Nuk mund të jap më shumë detaje, por informacionet që kemi janë të mjaftueshme që të gjurmojmë pronarin e kësaj veture”, ka thënë Maxhuni.


Trupi i Ivanoviqit i dorëzohet familjes

[18:41] - Trupi i vrarë i Oliver Ivanoviqit i është dorëzuar rreth orës 18:30 familjes së tij.

Nesër, siç është njoftuar, ai do të varroset në Beograd.


EULEX dënon fuqishëm vrasjen e Oliver Ivanoviqit

[18:31] - Me një kumtesë për media shefja e EULEX-it Alexandra Papadopoulou, ka dënuar ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviqit, transmeton Koha.net.

Në këtë kumtesë thuhet:

“Misioni i EULEX bën thirrje autoriteteve relevante që të veprojnë shpejtë dhe me efikasitet në mënyrë që të arrestohen kryerësit e këtij akti makabër. Misioni ynë është i gatshëm që të ofrojë përkrahje sipas mandatit që ka”.

“Në emrin tim dhe Misionit të EULEX-it shprehi ngushëllimet e sinqerta familjes dhe miqve të zotit Ivanovic. I bëj thirrje atyre që kanë ndonjë informacion relevant i cili mund të çojë deri tek arrestimet e mundshme lidhur me vrasjen e z. Ivanoviq, që ta raportojnë atë tek autoritetet. Apeloj gjithë komunitetin që të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin në këto momente të vështira".


Thirren tubime në mbarë Serbinë për Oliver Ivanoviqin

[18:24] - Në shumë qytete të Serbisë, sonte nga ora 19:00, do të nderohet Oliver Ivanoviqi. Ftesën për tubime e kanë iniciuar shfrytëzues të rrjetit social Twiter, përcjell kossev .

"Sonte Serbia tubohet në nderim të Olivera Ivanoviqit. Shkojmë për ta nderuar këtë b urrë trim dhe të tregojmë se #NasJeIpakViše (Ne megjithatë jemi më shumë).

Sipas këtij portali serb nga Mitrovica, transmeton Koha.net, një pikëllim i madh po mbretëron në të gjitha rrjetet sociale.

“Ejani qytetarët të Serbisë, organizohuni. Tubohuni sonte në orën 19:00 në të gjitha qytete, e gjithë Serbia të ndezë qirinj për Oliver Ivanoviqin, të ketë dritë;

Oliver, pusho në paqe, njeri i madh, serb, patriot i vërtetë! Faleminderit për luftë! Faleminderit për trimëri ! Faleminderit për të vërtetën", janë disa komente në Twitter me hashtagun #NasJeIpakViše.


Kryhet autopsia, në trupin e Ivanoviq u gjetën 6 predha të revoles

[17:55] Autopsia për kryetarin e Iniciativës Qytetare SPD, Oliver Ivanoviq, i vrarë sot në Mitrovicën e Veriut, ka përfunduar para pak çastesh.

Kallxo.com mëson se në trupin e tij ekspertët mjekoligjorë kanë gjetur gjashtë predha të një arme të vogël.

Autopsia është kryer nga mjekoligjorët e Kosovës në rajonin e Mitrovicës.

Më herët gjatë ditës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, konfirmoi se dy prokurorë nga kjo prokurori kanë nisur hetimet për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës.


Zvicra dënon vrasjen e Ivanoviqit, kërkon vazhdimin e dialogut

[17:13] - Zvicra ka dënuar fuqishëm vrasjen e dhunshme të Oliver Ivanoviqit gjatë mëngjesit të së martës dhe ka ftuar instutcionet e drejtësisë së Kosovës që të hetojnë me kujdes incidentin dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë, transmeton Koha.net,

“Ne shprehim ngushëllime familjes dhe miqve të Oliver Ivanoviqit. Zvicra përkrah dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe fton të gjitha palët që t’i përmbahen dialogut, i cili është në interes të stabilitetit rajonal e të sigurisë”, thuhet në reagim.


Thaçi siguron Mogherinin: Do të bëjmë gjithçka për të ndriçuar vrasjen e Ivanoviqit

[16:57] - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka siguruar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, se institucionet përgjegjëse të Kosovës do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndriçuar sa më shpejtë vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi" në veri e vendit, Oliver Ivanoviq.

Përmes një bisede telefonike me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun dhe përpjekjet për normalizim të plotë me Serbinë, njofton Zyra për Informim e presidentit.

Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, gjatë ditës ka telefonuar Presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, pas vrasjes së Ivanoviqit në veri të Kosovës.

Menjëherë pas vrasjes, presidenti Thaçi i kishte ftuar organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë.

Ai kishte apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje


Tahiri dënon atentatin kundër Ivanoviqit

[16:01] - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dënon atentatin që la të vdekur politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kjo është deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Asgjë nuk mund të arsyetoj dhunën dhe veprat penale, pavarësisht se nga kush apo ndaj kujt manifestohen. Akti i vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Oliver Ivanoviq, është absolutisht i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm për shoqërinë tonë, prandaj, veprime të tilla meritojnë një përgjigjeje të menjëhershme.

Të gjitha institucionet përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin duhet të veprojnë dhe të jenë të pa kompromis në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësit e këtij akti të përballën me drejtësinë. Andaj kam kërkuar nga autoritetet përkatëse që në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore të realizojnë sa më shpejtë që është e mundur, hetime gjithëpërfshirëse ndaj këtij akti të tmerrshëm, me qëllim që ky rast të ndriçohet sa më parë dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, kërkoj nga qytetarët që posedojnë informata, të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe ligjit në mënyrë që të zbardhet ky rast dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar.

Duke shprehur ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit, kërkoj nga qytetarët që sulmi i sotshëm në asnjë rrethanë mos të ndikojë në frymën e bashkëjetesës shumetnike në Republikën e Kosovë.


SLS: Vrasja e Ivanoviqit, humbje e madhe për serbët në Kosovë

Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS) kërkon nga institucionet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen sa më të shpejt të rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke thënë se vrasja e tij është një humbje e madhe për serbët në Kosovë.

Image

shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Ivanoviq, ndërsa me këtë rast dëshiron të përkujtojë në goditjen e ashpër që i është bërë përfaqësuesve të kësaj partie më 16 janar 2014 në Mitrovicën Veriore, ku është vrarë Dimitrie Janiçieviq, kryetar i komitetit komunal të SLS, si dhe tentim-vrasjes ndaj Petar Miletiq, sekretar i përgjithshëm i SLS.

“Këto janë ende raste të pasqaruara”, thuhet në reagimin e SLS.


Sholtes: Përgjigja e duhur ndaj vrasjes së Ivanoviqit është dialogu

Raportuesi Kosovës në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, është shprehur i tmerruar me vrasjen e politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

“E dënoj fuqishëm vrasjen e cila po hedh një re të zezë mbi sundimin e ligjit dhe dialogun. U bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante që të bëjnë gjithçka është e mundur në fuqinë e tyre për t’i sjellë kryerësit e krimit para drejtësisë”, thotë Sholtes, raporton Koha.net.

Image

Ai po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella ndaj familjes së viktimës.

“Ky akt i tmerrshëm nuk duhet të nxis hakmarrje e dhunë, e cila mund të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Përgjigja e duhur është dialogu, bisedimet dhe sundimi i ligjit”, shtoi ai.


Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon vrasjen e Ivanoviqit

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), ambasadori Jan Braathu, tha se është i tronditur dhe i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës.

“Ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës gati dy dekada. Ai ka treguar angazhim të palodhur për të mirën e komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i respektuar në Kosovë”, tha Braathu.

Sipas tij, vrasja e Ivanoviqit shkakton “ankth të thellë”.

Ivanoviq ka vdekur mëngjesin e sotëm, pasi është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.


Ivanoviq mund të varroset në Beograd

Oliver Ivanoviq me gjasë do të varroset në Beograd, me kërkesë të anëtarëve të familjes së tij, transmeton Tanjug duke iu referuar burimeve të afërta me familjen.

Trupi i Ivanoviqit të vrarë do t’i dorëzohet familjes pas obduksionit, i cili do të kryhet sot në Qendrën Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Veriut, transmeton KP.

Image

“Në obduksion do të marrin pjesë përfaqësues të EULEX-it dhe përfaqësues të Institutit për Mjekësi Ligjore nga Prishtina”, ka njoftuar drejtori i spitalit, Milan Ivanoviq.


LDK kërkon bashkëpunimin qytetar për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit

Lidhja Demokratike e Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në mëngjesin e sotëm në Mitrovicën e Veriut.

Në një komunikatë për media thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet me qëllim të zbardhjes së këtij rasti.

Image

“LDK kërkon gjithashtu nga qytetarët e kësaj pjese që të bashkëpunojnë me organet kompetente të sigurisë dhe të drejtësisë me qëllim që autorët e këtij krimi të zbulohen, të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në komunikatë.


Pacolli: Vrasja e Ivanoviqit, në kundërshtim me përpjekjet tona për të vënë rend e ligj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj vrasjes së politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Pacolli e ka dënuar këtë rast në mënyrën më të fuqishme.

“Akti trishtues i vrasjes dhe dhuna si mjet është në kundërshtim me përpjekjet tona për të vënë rend dhe sundim të së drejtës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Pacolli në reagimin e tij.

Image

Ai ka ftuar institucionet përgjegjëse të sundimit të Ligjit në Kosovë dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojnë në ndriçimin sa më të shpejtë të këtij rasti dhe të vihen para drejtësisë autorët e këtij akti kriminal.


Rama e quan akt që nxit urrejtje e tension vrasjen e Ivanoviqit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur akt që nxit urrejtje e tension vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Rama ka shkruar në Facebook se përpjekjet për dialog e paqe s’duhet të ndalen, por duhet të thellohen.

“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic;akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension.Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar”, ka shkruar ai.


Sefaj: MPB e përkushtuar për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit

Image

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka dënuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sefaj ka thënë se ministria që ai udhëheq është e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e akterëve para organeve të drejtësisë.

“Shpreh keqardhje për vrasjen e Oliver Ivanivoiq, dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij. Ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit, aktet e tilla nuk e ndihmojnë shoqërinë tonë në përpjekjet e saj për sundim të rendit dhe ligjit. Ftoj qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të presin rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse. Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e akterëve para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim të MPB-së.

Sefaj pas këtij rasti ka pritur në takim kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri. Gjatë takimit, të dy kontaktuan me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq, që gjendet në veri të vendit. Po ashtu ata kanë kontaktuar me Goran Rakiqin, kryetar të Mitrovicës së Veriut. 


Vuçiq ‘porosit’ Kosovën: Mos mendoni që pas vrasjes së Ivanoviqit mund t’i vendosni trupat në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se vrasja e Oliver Ivanoviqit, për shtetin serb është akt terrorist.

Ai tha se nëse Policia e Kosovës dhe EULEX-i dështojnë në kryerjen e hetimeve, hetimet do t’i kryejë vetë shteti serb për të treguar “paaftësinë” e institucioneve përgjegjëse në Kosovë.

“Hetimet do t’i bëjë Policia e Kosovës dhe EULEX-i, e nëse ata nuk kryejnë punë, do të hetojmë vetë për të treguar sa të paaftë janë”, ka thënë Vuçiq, raporton KTV.

“I them Prishtinës dhe ndërkombëtarëve mos mendoni se kjo ju mundëson vendosjen e trupave në veri, këtë nuk e lejoj kurrë”, shtoi ai në një konferencë për media pas takimit me Këshillit e Sigurisë së Serbisë.


Ambasada Britanike: Të zbardhet sa më parë vrasja e Ivanoviqit - personat publikë të punojnë pa frikë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka reaguar në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Kjo Ambasadë i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të sigurisë që të hetojnë këtë rast në detaje dhe t’i sjellin para drejtësisë kryerësit e kësaj vepre sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Jemi thellësisht të brengosur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Shprehim keqardhje dhe ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Sikurse për çdo vrasje, ne u bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sundimit të ligjit të hetojnë këtë incident detajisht dhe t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësisë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Ambasada, raporton Koha.net.

Ambasada ka thënë po ashtu se politikanët dhe personat tjerë të jetës publike të veprojnë pa frikë nga dhuna.

“Është e një rëndësie të veçantë që politikanët dhe ata të jetës publike të veprojnë pa frikë nga dhuna. U bashkohemi thirrjeve për qetësi, dhe kërkojmë nga të gjithë që të bashkëpunojnë me policinë për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, përfundon komunikata e Ambasadës Britanike.


Mogherini flet në telefon me Thaçin e Vuçiqin pas vrasjes së Ivanoviqit, kërkon qetësi e përmbajtje

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka folur në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Përmes një njoftimi për media, zyra për informim e Mogherinit, thotë se në këto telefonata, zyrtarja e lartë e BE-së e ka dënuar fuqishëm vrasjen dhe ka shprehur ngushëllimet ndaj familjes dhe miqve të tij.

“Ajo ka nënvizuar pritjet se autoritetet relevante të Sundimit të Ligjit të Kosovës të mos kursehen në përpjekjet për të gjetur kryerësit e aktit dhe t’i sjellin ata para drejtësisë pa vonesë. Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, do t’i përkrahë autoritet në pajtim me mandatin e tij”, thuhet në komunikatë, raporton Koha.net.

Përfaqësuesja e Lartë po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të jenë të qeta dhe të përmbajtura dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë të kryejnë punën e tyre.


Veseli dënon vrasjen e Ivanoviqit, kërkon zbardhjen sa më të shpejtë të rastit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dënon vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, si dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kryeparlamentari Veseli, siç thuhet në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës, “beson se organet e drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore që ky rast i rëndë të zbardhet sa më shpejtë dhe që autorët e krimit të dalin para drejtësisë”.​


Delawie: Të hetohet shpejt dhe profesionalisht vrasja e Ivanoviqit

Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka dënuar në mënyrën më të fuqishme të mundshme “vrasjen e dhunshme të Oliver Ivanoviqit” në mëngjesin e sotëm dhe ka shprehur ngushëllimet më të thella të ambasadës për familjen e tij.

“Thërras në të gjitha institucionet e drejtësisë të Kosovës – veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – që të hetojnë këtë incident shpejt dhe profesionalisht, dhe që t’i sjellin kryerësit para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme, dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, ka porositur Delawie.


BBC: Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e Ivanoviqit

Korrespodenti i BBC-së nga Beogradi, Dejan Aleksijeviq, gjatë një raportimi direkt, ka thënë se vrasja e Ivanoviqit mund të jetë e ndërlidhur me mafien.

“Duket vrasje tipike mafioze. Ivanoviq ka pasur shumë armiq. Ka qenë figure kontroverse”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Tutje, Aleksijeviq ka theksuar se Beogradi zyrtar po tenton që për këtë vrasje të fajësojë shqiptarët.

“Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët por dihet mirëfilli që veriu i Kosovës kontrollohet 100% nga serbët”, ka theksuar ai gjatë raportimit direkt në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.


Vjet Ivanoviqit iu dogj vetura

Gjatë verës së shkuar, në Mitrovicë iu vu zjarri veturës së Ivanoviqit.

Zyrtarisht u pohua se zjarri ishte i qëllimshëm, ndërsa u karakterizua si zjarrvënie me rrezik të përgjithshëm, transmeton Koha.net.

Ivanoviq pati deklaruar se nuk kishte armiq dhe se nuk merrej me punë të paligjshme, porse kishte jo bashkëmendimtarë politikë, prandaj autoritetet e qytetit (bëhet fjalë për pjesën veriore të Mitrovicës) duhet të distancohen nga seria e incidenteve.


Vrasja e Ivanoviqit, Policia me kontrolle të rrepta në Bërnjak dhe Jarinje

Policia e Kosovës është duke kontrolluar detajisht makinat në Bërnjak e Jarinje, dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të vendit.

Sipas Kallxo.com, kontrollet e rrepta po zhvillohet pasi sot u vra në veri të vendit pranë selisë së partisë së tij, politikani serb Oliver Ivanoviq.


Vetura e cila dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj Ivanoviqit

Oliver Ivanoviq është vrarë sot në mëngjes siç raportohet nga Policia nga një veturë në lëvizje.

Ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe sipas mjekëve ka vdekur në vendin e ngjarjes, raporton KosovaPress.

E para që e ka gjetur të shtrirë në tokë para selisë së partisë së tij ka qenë një fqinje që kishte dalë të blejë bukë në dyqan.

Pas kësaj në lagjen e Doktorëve është gjetur e djegur një veturë e tipit Opel Astra e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët e Ivanoviqit.

Image

Tanin i tronditur nga vrasja e Ivanoviqit

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, është tronditur nga vrasja e Oliver Ivanoviq – udhëheqës i iniciativës qytetare Liri, Demokraci, Drejtësi – afër zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut sot në mëngjes, dhe dënon ashpër këtë akt.

Ai beson që organet hetuese do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe ato të gjithë OKB-së, familjes dhe miqve të Z. Ivanoviq,” tha Tanin.


Thaçi kërkon zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes së Ivanoviqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare, “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq.

Thaçi ka kërkuar nga organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe vrasësit të dalin para drejtësisë.

Gjithashtu, Thaçi ka apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.


Gjuriq: Vrasja e Ivanoviqit, akt kriminal e terrorist

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ka quajtur vrasjen e politikanit serb “akt kriminal terrorist” që ka për synim çuarjen e rajonit të paqëndrueshëm në kaos.

Gjuriq tha se “kushdo që qëndron prapa këtij sulmi... qofshin ata serbë, shqiptarë apo kriminelë tjerë, duhet të dënohen”.

Image

Ai shtoi se sulmi i hershëm i së martës ndaj Oliver Ivanoviq në Mitrovicë “është një përpjekje për të çuar serbët në kaos, për ta shtyrë Serbinë drejt kaosit”.


Qeveria e Kosovës kërkon zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.

“Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, ka thënë Qeveria në reagimin e saj.

Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.


Avokati i Ivanoviqit: Mjekët e shpallën të vdekur në orën 9:30

Avokati i tashmë liderit serb të ndjerë politik, Oliver Ivanoviq, ka konfirmuar se ai ka ndërruar jetë në irën 9:30.

“Fatkeqësisht, do të doja të mos ishte e vërtetë, por mjekët e kanë shpallur të vdekur në orën 9:30 të mëngjesit”, ka thënë Nebojsha Vlajiq, avokat i Ivanoviqit për “Associated Press” përmes telefonit, transmeton Koha.net. Ai ka shtuar se Ivanoviq ka marrë pesë plagë në trup.

Mësohet se sulmues të panjohur kanë shtënë me armë zjarri ndaj Ivanoviqit para zyrave të partisë së tij, Iniciativa Qytetare.

Në anën tjetër, Ljubomir Pantoviq, avokati i dytë i Oliver Ivanoviqit, ka thënë se deri tash nuk ka dëshmitarë për vrasjen e liderit serb.

Sipas Pantoviqit, tashmë hetimet kanë filluar.

Ai ka thënë se Ivanoviq nuk kishte menduar asnjëherë se është në rrezik dhe se tash për tash nuk dyshojnë në askënd.


Prokuroria në Mitrovicë konfirmon vdekjen e Ivanoviqit

Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka konfirmuar për KTV-në, që Ivanoviq nuk u ka mbijetuar plagëve.

Image

Ai ka thënë se Ivanoviq është qëlluar nga një automjet në lëvizje.

Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit, ditë më parë, paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme terroriste.

Image

Foto: Novosti


Vritet Ivanoviq: Gjendet një veturë e djegur në “Lagjen e Doktorëve”, dyshohet të ketë qenë e atentatorëve

Sipas burimeve të KP-së nga Mitrovica, Ivanoviq ka ndërruar jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’ia shpëtuar jetën.

Këto burime bëjnë të ditur se në Lagjen e Doktorëve që gjendet në pjesën veriore është gjetur e djegur një veturë e tipit Opel Astra që dyshohet se sulmuesit e kanë përdorur me rastin e atentatit ndaj Oliver Ivanoviq.

Nga Policia nuk kanë konfirmuar për vdekjen e Ivanoviqit, por kanë thënë se gjithçka do të dihet nëpërmjet një komunikate për media.

Image

Foto: Novosti


Oliver Ivanoviq nuk u mbijetoi plagëve

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, është plagosur gjatë të shtënave mbrëmë në Veri të Mitrovicës.

Sipas mediave në Serbi, i njëjti nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur.

“Novosti” në Beograd raporton se sulmues të panjohur kanë shtënë me 3 plumba derisa ai po hynte në ambientet e partisë së tij.

© KOHA

Komentet

VLADIMIR 17/01/2018 12:48

UBICE SU IZ SEVERNOG DELA ZNA SE KO ,ALBANCI NEMAJU NISTA SA OVIM

Ernest Tushi16/01/2018 14:42

Ky eshte nje rast jashtezakonisht i volitshem qe i jepet Ministrise se Brendshme dhe policise se Kosoves ,qe ta fut me ne fund , ate pjese te territorit nen kontrollen e Shtetit Kosoves . Shpresoj edhe pse shume dyshoj se nuk do ta din , ta shfrytezojne ,qe nga ky rast te nxjerrin favore shteterore !!

Komsija16/01/2018 14:43

Znamo da niste vi.Nadjite ubice i pokazite da ste ozbiljna drzava.

Mare16/01/2018 14:43

Rip

Shto koment

Të ngjashme