Kronikë

Gruaja e dytë e vrarë nga kosovari në Zvicër është motra e viktimës së parë

Viktima e dytë e vrasjes që ndodhi para dy ditëve në Hausen të Kantonit Aargau është motra e gruas së vrasësit të dyshuar, kosovarit 54 vjeçar R.B. Ajo, (Elda, 31 vjeçe) siç shkruan blick.ch. kishte ardhur nga Franca ku jetonte dhe kishte kaluar pushimet e vitit të ri te motra, (Alma, 38 vjeçe) ku vdekja e dhunshme e gjeti së bashku me motrën.

Këtë e thonë njerëzit që i kanë njohur nga fqinjësia dhe së fundi edhe familjarët e saj të ardhur nga Franca.

Kështu, për portalin në fjalë flet baxhanaku i dorasit, Kreshniku 37 vjeçar i cili me motrën tjetër të viktimave jeton në Francë dhe ka ardhur në Zvicër pas lajmit të kobshëm. Ndërkohë, policia ende nuk ka dalë me versionin e saj zyrtar rreth identitetit të viktimës së dytë dhe as lidhur me rrethanat e vrasjes.

Image

Ai ngre akuza të rënda për baxhanakun e tij, tashmë të burgosur për vrasjen e dyfishtë, transmeton albinfo.ch. Kreshniku thotë se çifti po jetonte tash 18 vjet së bashku dhe që nga fillimi motra e gruas së tij ka qenë viktimë e dhunës së të shoqit. Ai e kishte rrahur shpesh dhe aq brutalisht atë sa që disa herë e kishte bërë për spital. Po ashtu e kishte mbajtur të mbyllur, duke mos e lejuar të socializohej në Zvicër dhe të mësonte gjermanishten.

Ajo disa herë ka dashur ta denoncojë atë por nuk kishte arritur të mblidhte guximin. Së fundi e kishte bërë këtë para një viti dhe sërish para 5 muajsh, transmeton albinfo.ch. Por, policia, sipas Kreshnikut, nuk kishte ndërmarrë asgjë, për çfarë ai e bën edhe atë bashkëpërgjegjëse për këtë krim të tmerrshëm.

Ndërsa një burim i albinfo.ch, person që banon jo larg vendit ku ka ndodhur krimi, thotë se e ka njohur personin e dyshuar për vrasje dhe bashkëshorten e tij tashmë të vrarë. Ai, duke mos dashur të identifikohet, thotë se ka pasur njohuri personale me personin e përmendur dhe se, nisur nga rrethanat sociale dhe familjare, ka mundur të jetë e pritshme të ndodhte kjo që ka ndodhur. Sipas tij, B.R. nga Kosova, ka qenë pensionist invaliditeti dhe me gjendje jo të mirë financiare e sociale. Ai ka qenë edhe më herët i martuar me grua nga Kosova ndërsa Alma 38 vjeçare nga Shqipëria ishte gruaja e dytë e tij.

Çifti kishte tre fëmijë: dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë, 14 vjeçar.

Ndërsa televizioni regjional Tele M1 i Aargaut ka biseduar me fqinj të familjes, të cilët kanë pohuar se disa herë nga banesa e tyre është dëgjuar zhurmë dhe grindje. Ndërkaq, sipas tyre këto zhurma janë shpeshtuar dhe intensifikuar javëve të fundit, që i bie, nga koha kur motra e re e zonjës së shtëpisë kishte ardhur mysafire, transmeton albinfo.ch.

Madje një ekspert i kriminalistikës (komisar policor i pensionuar) thotë për Tele M1 se ardhja e saj mund ta ketë acaruar situatën aq sa kosovari të ndihej i provokuar. Ai pastaj shton se fakti se vrasja është bërë në kuzhinë dhe me një thikë kuzhine, lë të kuptohet se ajo mund të ketë qenë vrasje në afekt.

Tele M1 flet po ashtu se tre fëmijët e mbetur pa nënë dhe me babanë e burgosur, janë vendosur në një strehimore fëmijësh në Brugg ku ndodhen nën përkujdesjen e autoriteteve.