Suspendohet “Tarkani” për sulmin ndaj drejtorit të PTK-së Foto: Koha / ilustrim

Suspendohet “Tarkani” për sulmin ndaj drejtorit të PTK-së

31 dhjetor 2017 14:32

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e IPK-së, kanë vazhduar gjatë ditës së sotme me ndërmarrjen e veprimeve hetimore drejt ndriçimit të rastit – incidentit të djeshëm që kishte ndodhur në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

Bazuar në këto veprime hetimore që janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin kompetent, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor A. B. (Avni Berisha), i njohur si “Tarkani”, si i dyshuar në incidentin e djeshëm.

“Policia e Kosovës bazuar në rekomandimin e dhënë nga IPK-ja ka miratuar rekomandimin e IPK-së duke suspenduar zyrtarin në fjalë. Pas veprimeve hetimore që janë ndërmarrë dje por edhe sot gjatë ditës nga hetuesit e IPK-së dhe prokurori kompetent, qytetari i përfshirë në këtë incident (drejtori i PTK-së z. Agron Mustafa) cilësohet si viktimë në këtë rast”, thotë IPK në njoftimin për media.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në koordinim edhe me prokurorin (duke përfshirë ekzaminimin e disa video-incizimeve, intervistimin e dëshmitarëve etj) deri në ndriçimin e plotë të rastit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme