“Drejtësi për Florencin”, protesta për të riun që humbi jetën në Marsejë

“Drejtësi për Florencin”, protesta për të riun që humbi jetën në Marsejë

24 dhjetor 2017 14:34

Zëdhënësi i Presidentit të Shqipërisë, Tedi Blushi, dhe këshilltari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani, ishin mesditën e së dielës në Shkodër, në banesën e Florenc Beqirajt, azilkërkuesi shqiptar që humbi jetën pak ditë më parë në Marsejë të Francës.

Dy përfaqësuesit e presidentit, pasi iu shprehën ngushëllimet familjarëve, i siguruan ata se presidenti Ilir Meta është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe franceze, jo vetëm për të sjellë sa më parë trupin e Florencit në Shqipëri, por edhe për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes së tij.

Autoritetet franceze, të cituara nga Ambasada shqiptare në Paris, dyshojnë se në qendrën për emigrantët ilegalë, ku ishte në pritje të dëbimit nga vendi, Florenc Beqiraj, për të zgjatur qëndrimin në Francë ka tentuar të dëmtojë veten, duke simuluar një vetëvarje, që më pas ka dalë jashtë kontrolli, shkruan tch.

Gjithsesi, Ambasada shqiptare në Paris konfirmon se autoritetet kanë hapur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Rasti i Florencit u bë viral në rrjetet sociale, duke u postuar nga faqe të njohura apo “VIP”-a shqiptarë, që krijuan edhe një “hashtag”, #ImFlorencBeqiraj.

Nuk i shpëtoi kësaj vale denoncimesh as kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që shpërndau të shtunën në orën 22 të darkës një deklaratë. Kurse të dielën, drejtuesit e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kukës organizuan një protestë.

Ndërkohë, në kryeqytet ishin pjesëtarë të shoqërisë civile dhe familjarë të Florencit, që fillimisht u mblodhën përpara Piramidës ku ndezën qirinj, e më pas marshuan pranë Kryeministrisë dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme