Pranojnë fajësinë dy të akuzuar për planifikim sulmesh ndaj lojtarëve të Izraelit Foto: Koha / ilustrim

Pranojnë fajësinë dy të akuzuar për planifikim sulmesh ndaj lojtarëve të Izraelit

20 dhjetor 2017 12:59

Dy nga nëntë të akuzuarit, Kenan Plakaj dhe Besart Peci e pranuan fajësinë për veprat penale për te cilat ngarkohen.

Ndërsa prokurorja speciale Merita Bina- Rugova i propozoi gjykatës që pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve të pranohet.

Si rezultat, gjykata miratoi pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve.

“Shqiptimi i dënimit në raport me ta do të shtyhet deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, raporton “Kallxo”.

Në seancën fillestare edhe i akuzuari Arton Ahmeti kishte pranuar fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor, Kenan Plakaj akuzohet për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të paautorizuar të materieve plasëse, ndërsa Besart Peci për armëmbajtje pa leje.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti,Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, (që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet) me dashje kanë pranuar thirrjen e Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit shkoi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme