Rai Uno: Policia shqiptare sivjet asgjësoi 2 milionë bimë kanabis

Rai Uno: Policia shqiptare sivjet asgjësoi 2 milionë bimë kanabis

19 dhjetor 2017 15:14

Thellimi i luftës së qeverisë shqiptare kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka tërhequr vëmendjen e televizionit RAI UNO në Itali.

Në programin e përjavshëm TV7 të TG1, një kronikë e posaçme i është dedikuar asaj që gazetari italian Alessio Zucchini e quan “një luftë që zhvillohet deri në filizin e fundit të kanabisit”.

“Përkrah forcave shqiptare qëndron edhe Guardia Di Finanzia, të cilët fluturojnë mbi territorin shqiptar, pjesë e aksionit monitorues”-raportohet në kronikë.

Gazetari e cilëson një sukses të policisë shqiptare, asgjësimin e mbi 2 milion bimëve të kanabisit vetëm në vitin 2017. Në prononcimin për TV7, Kryeministri Edi Rama deklaron se tashmë jemi në fazën e dytë të aksionit, duke i shkuar pas të gjithë të fortëve, për të sekuestruar pronat e tyre të paluajtshme dhe asetet financiare.

“Ata janë shumë të organizuar, ata nuk kanë burokraci, ata nuk kanë një “Komision Europian” që i kontrollon, që duhet të marrë vendime. Janë të shpejtë, të sofistikuar, kanë një fuqi të madhe mbi njerëzit e varfër, mbi njerëzit e margjinalizuar dhe ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku”,-thotë Rama.

Image

Kronika rikujton se trafikuesit e kanabisit nga Shqipëria kanë lidhje shumë të fuqishme nga ana tjetër e Adriatikut, për të cilët kryeministri Rama shprehet:

“Është le të themi një shkollë të cilën këta individë e kanë bërë në Itali, janë djem të rinj që kanë kaluar nga Italia, në zonën e jugut. Jeta e emigrimit illegal, i ka bërë që të mësojnë shumë gjëra dhe të jenë pjesë e grupeve kriminale si Ndragheta, Camorra dhe pastaj e kanë ndarë punën, një pjesë është andej, një pjesë këtej. Pjesa andej realizon lidhjet me bosët e mëdhenj, këta këtu bëjnë punën e pisët dhe e nisin andej. Le të themi që është një filial i universitetit të ilegalitetit në Italinë e Jugut”.

Në anë tjetër, Kryeministri siguron se qeveria e tij ka një fond të posaçëm që financon ndërhyrje policore të këtij lloji. Më tej gazetari sjell provat e suksesit të këtyre aksioneve. I shoqëruar nga zëvendës ministri i Brendshëm Julian Hodaj, ai ka vizituar një magazinë në periferi të Tiranës ku policia e shtetit ruan sasitë e sekuestruara të substancave narkotike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme