Kronikë

Pas tri ditësh gjendet trupi i 35-vjeçarit që u mbyt në Valbonë

E rrëmbeu rrjedha e Valbonës teksa shkoi të mbushte ujë, gjendet pas 3 ditësh trupi i një 35-vjeçari nga Bajram Curri. G.Z punonte si punëtor për mirëmbajtjen e rrugës në Valbonë, ndërsa në pushimin e drekës ditën e shtunë, ishte larguar për të mbushur ujë të pijshëm tek burimi në afërsi të lumit të Valbonës, dhe nuk është kthyer më.

Policia bën të ditur se në bashkëpunim me familjarët dhe banorët e zonës, në vijim kërkimeve për gjetjen e shtetasit G.Z., ku dyshohet se është mbytur në lumin Valbonë, afër ish Turizmit, sot, më datë 19.12.2017, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit G.Z., 35 vjeç, banues në Bajram-Curri, në shtratin e lumit Valbonë, në vendin e quajtur Quku i Dunishes, rreth 2 km larg vendit të ngjarjes.

Në ndihmë të Policisë për nxjerjen e trupit të viktimës, për shkak të thellësisë dhe prurjeve të mëdha të lumit, kanë ardhur në ndihmë dhe shërbimet e zjarrëfikses së qytetit, ku u bë e mundur nxjerra trupit të viktimës. Trupi i pajetë, po transportohet në spitalin e Tropojës, për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore. Më datë 16.12.2017, në Valbonë, duke qenë punëtor në një firmë për mirëmbajtjen e rrugës, gjatë kohës së pushimit të drekës, ky shtetas është larguar për të mbushur ujë të pijshëm tek burimi në afërsi të lumit të Valbonës, dhe nuk është kthyer më.