Kronikë

Ish-kryetar i Prizrenit deklarohet i pafajshëm në Gjykatën Themelore të Gjilanit

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, Ramadan Muja, ish-kryetar i komunës së Prizrenit dhe 4 ish-zyrtarët komunal Minir Krasniqi, Avni Ademaj, Sadik Paqaqrizi, Abdullah Tejeci janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të shqyrtimit gjyqësor kundër tyre e cila është mbajtur të enjten për veprat penale me të cilat ngarkohen e që është keqpërdorimi i pozitës zyrtare, raporton Koha Ditore.

Muja së bashku me zyrtarët e tjerë komunale me 13 mars 2014 ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Ndërsa Gjykata e Apelit të Kosovës kishte kthyer lëndën e tyre në rigjykim pas ankesave që kishin bërë duke e caktuar Gjykatën Themelore të Gjilanit si kompetente për ta gjykuar këtë rast.

Fikrije Fejzullahu, prokurore e shtetit në fjalën e saj hyrëse ka deklaruar se i përmbahet aktakuzës së ngritur nga prokuroria e "Eulexit" e cila akuzon kryetarin e komunës, Ramadan Muja i cili në bashkëveprim me ish- zyrtarin Kadri Ukimeri (tashmë i ndjerë për të cilin ka pushuar edhe procedura gjyqësore ), për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 26 maj 2006, që dyshohet se ka rezultuar me një përfitim të paktën për Minir Krasniqin (ish-drejtor i Administratës), M.Q. dhe J.A., në formën e përdorimit dhe përfitimit nga toka komunale. Ajo thotë se aktakuza e prokurorisë ngarkon Ramadan Mujen si kryetar, Minir Krasniqi si Drejtor i Administratës dhe Avni Ademaj në cilësinë e u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për Qendrën Edukative Arsimore "Gulistan" dhe për t'i shkaktuar dëm personit tjetër juridik, AKP-së, "duke shfrytëzuar autoritetin e tyre zyrtar kanë tejkaluar kufijtë e autorizimit të tyre në procesin e ndarjes dhe dhënies të tokës publike 'Gulistanit'".

Ajo ka thënë se Muja dhe drejtori i DUPH-së, Sadik Paçarizi i kanë kaluar kufijtë e autorizimeve në procesin e ndarjes dhe dhënies së tokës publike edhe për fabrikën e çokollatës “ NTP "Kamila". Kurse Ramadan Muja, ish-kryetar i komunës së Prizrenit në këtë seancë ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm duke thënë se me ndarjen e tokës për investime ai kishte hapur vende të reja të punës dhe se nuk kishte përfituar mjete materiale.

“I pafajshëm jam se unë kam bërë vepra humane se njerëzit kanë hy në punë” ka thënë Muja. Ndërsa edhe të akuzuarit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm meqë sipas tyre ata nuk kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në këtë seancë është arritur pajtimi në mes prokurorisë dhe mbrojtjes që të mos thirren dëshmitarët e njëjtë të cilët kishin dëshmuar në shkallën e parë por që dëshmitë e tyre të lexohen në këtë rigjykim. Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues- ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh. Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale. Kadri Ukimeri, ish-zyrtar, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dënim kishte marrë edhe Abdullah Tejeci.