Dy të rinj vdesin në aksident trafiku në Krushë të Vogël Foto: Ilustrim

Dy të rinj vdesin në aksident trafiku në Krushë të Vogël

10 dhjetor 2017 12:29

Dy persona nga fshati Nagavc i Rahovecit kanë humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur të dielën në mëngjes në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Sipas pjesëtarëve të Policisë rajonale të Prizrenit në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe një veturë. Në bazë të hetimeve fillestare të organeve policore dyshohet që shkaktari i aksidentit të jetë mos respektimi i shenjave të komunikacionit.

“Aksidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, në magjistralen Prizren-Gjakovë në Krushë të Vogël. Në aksident janë përfshirë një kamion i kompanisë ‘Bechtel Enka’ dhe një automjet i udhëtarëve. Deri te aksidenti ka ardhur ashtu që kamioni që ka qenë duke lëvizur në drejtim të Xërxës me të arritur në fshatin Krushë e Vogël, diku në afërsi 250 m. të udhëkryqit që shpie në drejtim të fshatit Randobravë, në atë moment vozitësi i kamionit merr vozitjen në krahun e majtë dhe pastaj fillon me lëvizjen prapa, edhe pse sipas raportit policor thuhet se ka qenë i përcjellë nga një automjet me drita me rotacion, ndërkohë që automjeti ‘Golf’ me dy persona që po ashtu ka qenë duke shkuar në drejtim të Xërxës në pamundësi të ndaljes e godet boshtin e rimorkios së kamionit në afërsi të kabinës së shoferit dhe si pasojë e lëndimeve të marra vozitësi dhe bashkudhëtari në veturë kanë ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar në vendin e ngjarjes ekipi i emergjencës së Prizrenit”, ka thënë Vesel Gashi, njëri nga zëdhënësit e Policisë rajonale të Prizrenit.

Në vendin e ngjarjes sipas tij kanë dalë të gjitha ekipet relevante, prokurori i shtetit dhe mjekët ligjorë. Ai ka pohuar se viktimat janë nga fshati Nagavc i Komunës së Rahovecit, të vitlindjes 1980 përkatësisht 1982.

“Me urdhër të Prokurorit vozitësi i kamionit ndalet për 48 orë për procedurë të mëtejme”, ka deklaruar Gashi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme