Kronikë

Gjykata e Apelit ua vërteton dënimet të akuzuarve për shtytje për kryerjen e veprave terroriste

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 18 vjet burg për Besnik dhe Enis Latifin, Milazim Haxhiajn, Gazmend Halitin dhe të akuzuarin tjetër Fehmi Musa. Të dënuarit, fillimisht akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, por më vonë akuzat u ndryshuan në shtytje për kryerjen e këtyre veprave.

Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar në afërsi të liqenit të Badovcit, lokacion afër Prishtinës, me qëllim të realizimit të një videoje propaganduese e cila kishte qëllim nxitjen në kryerjen e veprave penale të terrorizimit.

Sipas aktakuzës, këta persona planifikonin të incizonin vetën duke lexuar betimin e grupit militant Shteti Islamik dhe pas realizimit të video-incizimeve ata planifikonin t’i shpërndanin ato në rrjete sociale, duke tentuar kështu që të dërgonin mesazh për ekzistimin e të ashtuquajturit Shtet Islamik edhe në Kosovë.

Dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore janë më të lehta krahasuar me dënimet që ishin shqiptuar në korrik të vitit 2016, kur Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës pasi ishte konstatuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për përgatitje të veprave terroriste.

Bajram Tmava, avokati i të akuzuarit Milazim Haxhiaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se klienti i tij, i cili është duke vuajtur dënimin tashmë ka marrë vendimin e Gjykatës së Apelit.