Vërshimet në Kosovë u shkaktojnë dëme të mëdha bujqve

02 dhjetor 2017 20:15

Çdo herë kur ka të reshura, Komuna e Malishevës është e para e cila vërshohet nga uji.

Edhe kësaj here, lumi “Mirusha” ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha sidomos në sektorin e Bujqësisë, raporton KTV.

Reshjet e shiut kanë bllokuar shumë rrugë dhe shumë banorëve uji u ka depërtuar brenda shtëpive.

Edhe zyrtarët e Komunës së Malishevës kanë dalë në terren dhe kanë vlerësuar dëmet.

Ata thonë që dëmet janë të konsiderueshme, por që ata nuk kanë mundësi t’i kompensojnë të dëmtuarit.

Vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 1 milion euro, llogariten të jenë dëmet në këtë Komunë, ndërsa vetëm 25 mijë euro ka ndarë Ministria e Bujqësisë për t’i kompensuar bujqit.

Hiç më mirë nuk ka shpëtuar as Komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe ajo e Mitrovicës.

Në këto qytete, dhjetëra familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të premten mbrëma.

Nga agjencia për Emergjenca thonë se për dallim nga e premtja, të shtunën gjendja është me qetë, ekipet kanë dalë në terren për t’i vlerësuar dëmet.

Ndërkohë, 5 ekipe shpëtimi janë nisur në mëngjes për në Shqipëri, përkatësisht në Fier për të ofruar ndihmën e tyre pas një kërkesë që Republika e Shqipërisë i ka bërë asaj të Kosovës. Ekipet e shpëtimit nga Kosova që janë gjithsej 35 persona, me vete kanë marrë edhe barka.

Përderisa gjatë ditës së shtunë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka biseduar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Thaçi është shprehur i gatshëm që në Shqipëri të dërgojë edhe FSK-në.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme