Kronikë

Policia nis hetimet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë për festën me armë

Me dhjetëra mijëra armë zjarri janë shkatërruar në Kosovën e pasluftës, e shumë kampanja vetëdijesuese janë zhvilluar, për të krijuar një ambient më të sigurt.

“Festo me zemër, e jo me armë” është një prej kampanjave të fundit, e realizuar nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, raporton KTV.

E me këtë moto ka ironizuar analisti i politikave në Institutin Gap, Agron Demi, pas kronikës së transmetuar të premten në KTV, ku shihen zyrtarë të lartë të shtetit duke festuar me krisma armësh.

“Festo me armë, jo me mend” – kampanja e zyrtarëve të lartë shtetërorë - ka shkruar Demi në Facebook.

Videon e ka komentuar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në këtë video që pretendohet të jetë bërë në odën e Limajt në fshatin e lindjes, Banjë të Malishevës, pas lirimit të tij nga akuzat për korrupsion, u panë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, zëvendëskryeministri e ministri i diasporës Dardan Gashi, si dhe këshilltari i Limajt, Endrit Shala, tek shtien me armë.

Por, që nuk janë të vetmit, pasi në video vërehen edhe të tjerë persona që veprojnë njëjtë.

Pas transmetimit të kronikës në KTV, Policia e Kosovës, ka hapur rast dhe po e heton ngjarjen.

Armëmbajtja e paautorizuar, sipas nenit 374 të kodit penal, është vepër penale e dënueshme me gjobë, e burgim deri në 5 vjet, dënim që mund të rritet, varësisht nga numri i armëve.

E përdorimi i tyre, sipas nenit 375, përveç konfiskimit të armës, dënohet me burgim ndërmjet 1 e 8 vjet.