Mbi 57 vjet burgim për vrasjen në “Albi Mall” Foto: Ilustrim

Mbi 57 vjet burgim për vrasjen në “Albi Mall”

29 nëntor 2017 16:20

 

Është shpallur aktgjykimi për katër të dyshimtit për vrasjen me motive plaçkitjeje në “Albi Mall” që ndodhi më 30.03.2015 rreth orës 01:00 pas mesnate, transmeton Koha.net.

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin PKR.nr.125/16 kundër të akuzuarve SH.C, L.B, L.S dhe A.R., njofton kumtesa nga Gjykata.

I akuzuari SH.C është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) viteve për veprën penale Vjedhje grabitqare në bashkëveprim nga neni 328 par.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I akuzuari L.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik burgu në kohëzgjatje prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vite e 6 ( gjashtë) muaj për veprat penale Vjedhje grabitqare në bashkëveprim nga neni 328 par.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.

I akuzuari L.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik burgu në kohëzgjatje prej 20 (njëzetë) vite e 6 ( gjashtë) muaj për veprat penale Vjedhje grabitqare në bashkëveprim nga neni 328 par.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.

I akuzuari A.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej (katër) vite e 10 ( dhjetë) muaj për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale Vjedhjes grabitqare nga neni 328 par.4 lidhur me nenin 31 e lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Të akuzuarve SH.C, L.B dhe L.S me aktvendim të veçantë ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara dhe koha e kaluar në paraburgim do t’ju llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, paraprakisht kishin arritur marrëveshje gojore për të vjedhur, ashtu që me datë 30.03.2015 rreth orës 01:00 pas mesnate në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, kishin shkuar tek hyrja në ndërtesën e qendrës tregtare “Albi Mall”, kishin hyrë në objekt të maskuar me kapela, shall dhe dorëza, ishin ngjitur në katin e tretë në drejtim të kafiterisë “Don Caffe”, kishin hyrë në lokal dhe menjëherë e kishin marrë sefin dhe pastaj e kishin vërejtur se tani i ndjeri N.R është afruar afër kafiterisë, pastaj i akuzuari L.S më qëllim që ta mbajë pasurinë e vjedhur, menjëherë më armën e tipit Ekol Special 99 e kalibrit 7.65x17 me numër serik “EV-1341927” fillimisht ka shtënë një herë në drejtim të të ndjerit, pastaj kanë filluar të përleshen fizikisht. I akuzuari L.S kishte shtënë edhe tri herë të tjera në të ndjerin, me ç’ rast i ndjeri goditet 4 herë, duke marrë katër plagë vdekjeprurëse dhe i njëjti kishte vdekur në vendin e ngjarjes nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme e cila ishte shkaktuar si rezultat i veprimit dinamik të predhës, pasojë e goditjes me armë të zjarrit në kraharorë.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës .

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme