Blegtori nga Drenasi merr 78 mijë euro nga Ministria dhe ikën

Blegtori nga Drenasi merr 78 mijë euro nga Ministria dhe ikën

25 nëntor 2017 12:01

Ferma e ndërtuar mbeti e zbrazët, pasi që blegtori Fehmi Halilaj nga fshati Tërdec i komunës së Drenasit, i cili kishte fituar një grant, kishte marr paratë, por nuk i kishte paguar borxhet. E delet që i kishte në fermë ia morën borxhlinjtë.

Borxhlinjtë po e kërcënojnë edhe se do t’ia heqin edhe kulmin e fermës, i cili kushtoi hiq më pak se 40 mijë euro.

Grantin prej 78 mijë eurosh Halilaj e mori nga Ministria e Bujqësisë ndërsa kjo e fundit për disa muaj rresht nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me këtë rast, transmeton Kosovapress.

Halilaj u mbeti borxh shumë personave, ku në mesin e tyre është edhe ndërtuesi që ia ndërtoi fermën.

Pronarët e një firme nga Drenasi nuk i morën asnjëherë paratë për kulmin e fermës të cilët ia ndërtuan Halilajt.

Njëri nga pronarët e kompanisë, Besnik Kadishani thotë se Halilaj i mori paratë nga Ministria e Bujqësisë dhe u zhduk. Ndërsa ata nuk morën asnjë cent për kulmin, i cili kishte kushtuar 40 mijë euro për të cilën kishin bërë dhe kontratë tek noteri.

“E kemi bërë një kontratë tek noteri për kryerjen e atyre punëve. Kemi filluar me punë dhe janë kryer të gjitha punët sipas planit sipas projektit. Ka ardhur komisioni për pranimin e punëve, ka bërë pranimin e objektit dhe çdo gjë ka shkuar në rregull sipas atyre, ka qenë ok. Po tash përfundoj ajo procedurë. Ne e dinim që ai pare nuk ka, por po i pret paret e Ministrisë deri sa të ia qesin në llogari dhe ai me na dhënë neve. Edhe na ia kemi lëshuar faturën për kryerjen e punëve . Vlera e saj është 40 mijë euro. Kemi pritur si t’i vijnë paret prej Ministrisë në llogari me na dhënë neve. Faktikisht ai i ka marrë paret e Ministrisë edhe nuk na e ka qit neve pagesën hiq. Çka ka bërë me to ai e din, unë nuk e di. Kanë shku do ditë në biseda me të, s’ka pas ndonjë sukses absolut. Tash për momentin që disa kohë ai nuk gjendet në Kosovë, Ka ec, ka shku ka dal diku jashtë. Nuk e di as vet kur ka shku po r nuk është këtu”, tha ai.

Kadishani thotë se nëse nuk i marrin paratë, nuk kanë zgjidhje tjetër, pos që të shkojnë t’ia heqin kulmin e fermës.

Ai është i bindur se Halilaj e mori grantin edhe tokën ku është ndërtuar ferma nuk është në emër të tij, ndërkohë që thotë se kusht për marrjen e grantit, është që toka të jetë në emër të personit që kërkon atë.

“Na si firmë faktikisht e kemi parë të arsyeshme me i ndjek procedurat të cilat janë në Kosovës sipas ligjit. E kemi qu faturën tek përmbaruesi privat. Përmbaruesi ka provu me metodat e veta. Me nxjerr borxhin faktikisht. Nuk ka pasur çka me bë. Ka hasur në problem, pasi që ferma ku është ndërtuar në atë pronë truall, nuk është pronë e tij hiq. Por Ministria e Bujqësisë ka dhënë një grant, ku kushti i parë themelor është se për me marrë një grant duhet me kanë prona në emër të tij. Qysh e ka marrë ai e din. Kush i ka ndihmu në atë drejtim ai e din. Edhe përmbaruesi nuk ka çka me ba të gjitha procedurat i ka përfunduar dhe ka ardhur në përfundim, se në emër të tij nuk ka asgjë. Për momentin jemi në pritje. Unë nuk e di çka me ba tjetër, veç se duhet një ditë me shku me këqyr me hjek kulmin dhe me marrë atë investim çka e kam bërë, tjetër zgjidhje nuk kam”, thotë ai.

E babai i Fehmi Halilajt, Isuf Halilaj tregon për peripecitë me të clat po përballet që nga koha kur djali i tij ka ikur dhe ai tashmë po përballet me borxhlinjtë, të cilët po i shkojnë çdo ditë te dera. Isuf Halilaj thotë se nuk e di ku ka shkuar djali i tij.

“Djali nuk po dihet ku është hiq, për shkak të borxheve. Borxhet ditë për ditë te dera tu ardh s’po kam. Me marrë naj gja s’po mi lajnë...Fehmia i ka marrë paret por borxhet s’kemi mujt, se kena hy borxh shumë puna e stallës. E kemi maru stallën e fortë. Tash borxhe në tana anët....S’po dihet ku është. Ishalla more Zot del njeri, si të del unë borxhet ka me i la ngapak - ngapak”, tha Isuf Halilaj për KosovaPress.

Babai i Fehmi Halilajt tregon se ferma ka mbetur e zbrazët pasi që borxhlinjtë ia morën të gjitha delet, ndërkohë që tregon se toka ku është ndërtuar ferma është në emër të babait të tij.

“Këtu janë kanë 300, 400 copa dhenë. Gjysma në këtë anë, gjysma në këtë anë. Por erdh puna e borxhlive erdhën mi morën për borxh. Ja paret ja gjanë. Qe qysh është mbet shtalla. Iu luta mos me ma prish shtallën. Atë ditë që prishet kjo unë as bukë nuk kam. Unë po mbaj ymyt ishalla jam gjallë e mbushi ngapak..borxhe kena 170 -180 mijë. 40 mijë na u ka bërë kulmi...Baci paret Ministria ia kanë dhënë. Por paret djali si i ka pru, ia kanë marrë. A kush ia ka marrë veç zoti e di. Veç vallahi paret këtu djali asnjë ngjeh s’mi ka as borxhet si ka la...Jo pasha zotin s’ka mujt”, tha Isuf Halilaj.

KosovaPress për muaj të tërë ka bërë përpjekje që të marr informata nga zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë për kriteret që duhet një person të plotësojë për të fituar grant dhe nëse për të marr një grant duhet që prona të jetë në emër të tij.

Por pavarësisht kërkesave askush nuk ka pranuar të flas. Zyrtarë të Ministrisë janë kontaktuar disa herë por disa kanë thënë se nuk janë kompetent ndërsa personat përgjegjës të Ministrisë nuk kanë pranuar të flasin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme