Kronikë

Shoferi humb kontrollin mbi makinën e tij, vdes një e lëndohet një tjetër pasagjer

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë pasi shoferi i makinës ku ata ishin pasagjerë ka humbur kontrollin.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bresje të Fushë Kosovë, më 24.11.2017, saktësisht në orën 02:57, siç njofton Policia e Kosovës.

“I dyshuari mashkull shqiptar derisa ishte duke drejtuar veturën e tipit BMW, dyshohet nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka goditur mbrojtëset e rrugës-autostradës”, thuhet në raportin e PK-së.

Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar viktima mashkull shqiptar - pasagjerë në veturë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime ka pësuar edhe një pasagjerë tjetër mashkull shqiptar, i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.