Kronikë

Policia jep detaje për vrasjen në Prishtinë, i dyshuari mbetet në arrati

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, ka dhënë më shumë detaje rreth vrasjes së një të riut e plagosjes së një vajze, të premten pas mesnatës, në rrugën “Fehmi Agani”, në Prishtinë.

I dyshuari mbetet në arrati.

“I dyshuari mashkull K/Shqiptar për motive të panjohura, nga një veturë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të katër personave të cilët ishin duke ecur rrugës, dhe është larguar në drejtim të panjohur. Si pasojë, viktima mashkull K/Shqiptar ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, i cili ka ndërruar jetë në emergjencë, ndërsa lëndime ka pësuar edhe viktima femër K/Shqiptare, e cila është dërguar në tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftim.

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja.

“Me vendim të prokurorit, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Është kontrolluar një objekt ku dyshohet qe ishte fshehur i dyshuari, me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar dy armë, njëra armë dyshohet që ishte përdorur në rast dhe një veture të cilën e ka shfrytëzuar i dyshuari. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin dhe në kërkim të tij”, thuhet në njoftim.