Shtyhet seanca gjyqësore ndaj tre policëve të akuzuar për shtytje në vetëvrasje të koleges së tyre

21 nëntor 2017 20:19

Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj tre policëve të Kosovës, të cilët akuzohen për veprën penale “shtytje në vetëvrasje” dhe “ndihmë në vetëvrasje”.

Besim Bojaj, Ardian Toplana dhe Fatmir Gashi akuzohen që në vitin 2014 kanë shtyrë në vetëvrasje tashmë të ndjerën Pashke Bekaj, me të cilën kishin pasur marrëdhënie intime, raporton KTV.

Seanca e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Deçan, u shty për shkak se mbrojta e të akuzuarve ka kërkuar përjashtimin e Prokurores Sanie Seferi Gashi nga ky rast për shkak të lidhjeve të afërta me familjen e viktimës.

Prokurorja Gashi më herët ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për shkak se përfaqësuesi ligjor i viktimës nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Vëllai i viktimës, Zef Bekaj, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancë për shkak se nuk ka besim në Gjykatën e Pejës.

Bekaj ka thënë se motra e tij nuk është vetëvrarë, por ai e ka akuzuar policin Fatmir Gashi që e ka vrarë atë.

Bekaj ka bërë të ditur se 4 ditë para se, siç thotë ai, të vritej, motra e tij është intervistuar nga Policia Rajonale e Pejës, me ç’rast i kishte rrëfyer të gjitha në lidhje me tre të akuzuarit dhe shantazhet që ia kanë bërë.

Trupi i pajetë i polices Pashke Bekaj, rreth të 40-ve, është gjetur në dhomën e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës dhe dyshohet se aktin e vetëvrasjes e ka kryer me armën e saj zyrtare.

Seanca për të akuzuarit do të mbahet më 11 dhjetor të këtij viti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme