Trupi pa kokë, i gjetur në Itali, mund të jetë i avokatit të zhdukur Besnik Muço

Trupi pa kokë, i gjetur në Itali, mund të jetë i avokatit të zhdukur Besnik Muço

19 nëntor 2017 13:54

Një ditë pasi mediat italiane raportuan gjetjen e një kufome në zonën e Leçës dhe faktin se mund t’i përkasë avokatit shqiptar të zhdukur Besnik Muço, sot dalin në dritë të tjera detaje, bën të ditur KJ. Mësohet se kufoma është pa kokë.

Kufoma ishte zbuluar në 5 nëntor nga një kalimtar, në vijën bregdetare të qytetit në pjesën jugore të gadishullit puljez, por kushtet e këqija të motit i ndaluan operacionet për tërheqjen e saj nga deti ose nga qielli.

Kështu që kufoma u kap vetëm ditën tjetër, pasi dallgët e kishin përplasur pas shkëmbinjve. Kufoma është shumë e gjymtuar dhe duket se nuk ka kokë. Po ashtu nuk ka as rroba.

Duke qenë e pamundur për autoritetet në Lecce që t’i japin një emër, ato e kanë vendosur kufomën në frigoriferin e morgut të qytetit pa asnjë ide për identitetin e saj.

Sipas tyre, trupi i gjetur është dëmtuar ndoshta për shkak të përplasjes së vazhdueshme me shkëmbinjtë ne det. Kufoma ishte zbuluar më 5 nëntor në zonën e Punta Correnti jashtë portit të marinës së Castro, por kushtet e këqija të motit kishin bere te pamundur nxjerrjen e trupit, deri të nesërmen kur nderhyne ekipet e Rojes Bregdetare.

Besnik Muço u zhduk që më datën 2 nëntor të këtij viti, teksa u nis me tragetin e linjës Durrës-Bari, për të shkuar te familja e tij. Prokurori i Maceratës kërkoi testin e ADN-së për kufomën e gjetur. Hipoteza është se mund të jetë nga Besnik Muço.

Besnik Muça, sipas sistemit TIMS ka bërë “Check-in” në Portin e Durrësit, drejt Barit dhe dyshohet se ai është zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Për rreth pesëmbëdhjetë vjet avokati kishte jetuar në Macerata, me gruan e tij dhe dy fëmijët.

Besnik Muça punonte si avokat prej disa kohësh në Tiranës. Ai kishte dokumente të rregullta qëndrimi për në Itali dhe ushtronte edhe profesionin si avokat i lirë. Ai udhëtonte dy herë në muaj drejt Italisë, për të qëndruar me familjen. Sipas dëshmisë së gruas në Itali, në komunikimin e fundit që ajo kishte pasur me bashkëshortin, nuk ishte shfaqur i shqetësuar. Edhe vëllai i Besnik Muços ka konfirmuar në polici se ai nuk ishte i shqetësuar gjatë takimeve që kishte zhvilluar me të.

Gruaja e tij ka mbërritur ne Shqipëri pak ditë më parë për të ndjekur nga afër hetimet për gjetjen e bashkëshortit të saj, teksa fëmijët janë lënë me gjyshërit nëe Itali, shkruajnë mediat italiane.

Gruaja e tij kishte denoncuar zhdukjen e Muços për karabinierët e Maceratës dhe edhe ne Itali po kryhen hetimet. Njëkohësisht, një denoncim është bërë nga i vëlla i avokatit në Policinë e Durrësit.

Trupi i gjetur në bregun e Pulias më 6 nëntor ende nuk është identifikuar. Por në zonën ku është gjetur nuk ka persona të zhdukur, çka, sipas mediave italiane, e bën edhe më të fortë dyshimin që ai mund të jetë personi që kërkohet në Shqipëri dhe Itali.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme