Kronikë

Marihuana shqiptare vazhdon ta “pushtojë” tregun italian

Të dhënat e publikuara nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, vijojnë të flasin për përmasa të bllokimit të lëndëve narkotike me prejardhje kryesisht nga Shqipëria.

Sipas burimeve zyrtare të Antidrogës, vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti në Itali janë bllokuar rreth 10,6 tonë lëndë narkotike (marihuanë dhe kanabis), nga 6,2 tonë që ishin bllokuar tetorin e vitit 2016.

Sipas burimeve zyrtare italiane, rreth 8.5 tonë e lëndës narkotike, e sekuestruar në tetor të këtij viti, ishte e llojit marihuanë me prejardhje në masën dërrmuese nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,1 tonë ishte hashash.

Sipas Antidrogës Italiane policia arrestoi në tetor të këtij viti rreth 2.208 persona nga të cilët 1.108 ishin të huaj, në një masë të madhe shqiptarë.

Të dhënat italiane flasin për një rritje të ndjeshme të trafikut të drogës gjatë vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, raporton VoA. Shqipëria mbetet furnizuesi më i madh i tregut italian me marihuanë të kultivuar në zona të ndryshme të vendit.

Megjithë operacionet e shtuara të policisë shqiptare dhe italiane, sidomos muajt e fundit, grupet kriminale arrijnë të transportojnë përmes detit nga Vlora në brigjet italiane sasi të mëdha marihuane.