Kronikë

Apeli refuzon ankesat e mbrojtësve në rastin e 9 të pandehurve për korrupsion

Në gjykim kryesor do të shkojë rasti ndaj ish-kryetarit të Lipjanit Shukri Buja dhe të tjerëve. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtësve, duke vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë.

Buja dhe 7 persona të tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe punime ndërtimore të paligjshme, raporton TV Arta.

Rasti ka të bëjë me një memorandum mirëkuptimi, të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”. Komuna e Lipjanit, në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008, kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”, për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë, Prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Bashkë me Shukri Bujën, të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra dhe Bajram Rizani. Anëtari i Nismës, Shukri Buja, më herët është dënuar me burgim me kusht për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.