Këtë vit pritet të përfundojë procesi ndaj inspektorëve të Komunës së Prishtinës

14 nëntor 2017 19:13

Muhamet Gashi ishte personi i fundit të cilit i raportohej për rrënimet në Komunën e Prishtinës në kohën e qeverisjes së LDK-së.

Kështu e ka shpjeguar hierarkinë në vendime, njëra nga inspektoret e akuzuara për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal që ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.

Blerina Syla bashkë me 9 persona të tjerë në mesin e tyre shefin e suspenduar të Inspektoriatit, Ismet Halitin e përmbaruesin Skender Canolli.

Syla ka thënë se ata i kanë raportuar shefit Ismet Haliti e ai aq sa asaj i kujtohet i ka raportuar drejtorit të Inspeksionit.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit si persona zyrtarë të Drejtorisë së Inspeksionit, në periudhën 2010-2014 nuk kishin ndërprerë ndërtimet pa leje, duke mos ekzekutuar vendimet për rrënimin e tyre.

Kështu, ata i kanë ndihmuar ndërtuesve të përfitojnë pas shitjes së banesave pa leje më shumë se 28 milionë euro.

Përmbaruesi Skender Canolli tregoi se në këtë pozitë ai ishte avancuar nga pozita e shoferit dhe se kishte të kryer shkollën e mesme, kur trupi gjykues e pyeti nëse ishte i kualifikuar që të kryejë këtë punë.

Gjykimi do të vazhdojë me fjalët përfundimtare të të akuzuarve të tjerë dhe vendimi për ta pritet para fundvitit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme