Dëshmitarja: E luta Ivanoviqin për jetën e djalit, s’tha gjë e iku

Dëshmitarja: E luta Ivanoviqin për jetën e djalit, s’tha gjë e iku

10 nëntor 2017 21:52

Pjesëtarë të policisë janë angazhuar për të siguruar praninë e dëshmitares së radhës në gjykimin ndaj Oliver Ivanoviqit.

Dikur lideri i serbëve në veri është duke u akuzuar për krime lufte ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 1999.

Shahbaze Cernobregu e cila u desh të sillej me polici në gjykatore ka dëshmuar rrethanat e 14 majit ’99 kur djali i saj, Erduan Cernobregu, ishte vrarë.

Ajo ka rrëfyer se në fund të hyrjes një polic i uniformuar e kishte ndarë nga djali të cilin e kishin shtrirë në tokë.

Dëshmitarja ka sqaruar se më vonë në mesin e policëve e kishte identifikuar edhe Oliver Ivanoviqin.

“I kam thanë këtij që është këtu djalin me ma pshtu”, ka rrëfyer dëshmitarja.

Ajo ka sqaruar se Ivanoviq nuk i kishte thënë asgjë, por vetëm ishte larguar.

Dëshmitarja ka sqaruar edhe rrethana të tjera përfshirë kohën kur trupi i djalit të saj ishte zbuluar në varrezat e Suhodollit.

Dëshmitari tjetër në këtë proces pritet të dëshmojë në seancën e radhës.

Oliver Ivanoviq ishte dënuar me 9 vjet burg për krimet që akuzohet, por në shkurt të këtij viti Gjykata e Apelit ishte ajo qe e ktheu në rigjykim këtë rast.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme