Kronikë

Arrestohen 11 shqiptarë në Greqi, pjesë e një organizate të sofistikuar për trafikim

Policia greke arrestoi 11 shqiptarë në Athinë, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte klandestinë nga vendet e Lindjes së Mesme drejt shteteve europiane.

Operacione të ngjashme u zhvilluan njëkohësisht në 20 shtete të Europës. Në kryeqytetin grek u zbuluan 4 baza të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit. Ndërkohë, dy shqiptarë dhe një grek janë shpallur në kërkim.

Organizata kishte metoda të sofistikuara. Emigrantët i përzgjidhte në bazë të gjuhës së huaj që zotëronin më mirë dhe u ofronin trajnim në lidhje me zakonet në vendin ku do të shkonin. Organizata nuk trafikonte emigrantë të cilët nuk përshtateshin me kërkesat e saj.

“Organizata bënte kujdes që të maskoheshin personat e trafikuar me shumë kujdes. Përdoreshin dokumente të cilësisë shumë të lartë. Prej verifikimeve rezultoi se, kjo organizatë përfitonte shuma të mëdha parash nga shitja e dokumenteve false. Një pasaportë shitej 400-500 euro, ndërsa një kartë identiteti 150 euro. Një patentë 500 euro, e kështu me radhë”, tha Joana Rotziku, zëdhënëse e policisë, përcjell ksp.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe 54.800 euro “cash”, 4 motorë, një veturë, pajisje që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, si dhe qindra vula dhe materiale të tjera.

Në Gjermani, organizata kishte dërguar të paktën 250 klientë, ndërsa 45 shqiptarë në Angli. Hetimet po shtrihen edhe në një tjetër pistë, pasi autoritetet nuk përjashtojnë edhe mundësinë që organizata të ketë furnizuar me dokumente false edhe të dyshuar për terrorizëm.