Gjykata e Katanias lë në burg Habilajn

Gjykata e Katanias lë në burg Habilajn

02 nëntor 2017 17:16

Gjykata e Rivlerësimit e Katanias, 48 orë pas dëgjimit të pretendimeve të 6 nga të arrestuarve të të ashtuquajturës “Dosja Habilaj”, vendosi këtë të enjte mosndryshimin e masës së sigurisë dhe qëndrimin e Moisi Habilajt dhe 5 bashkëpunëtorëve të tjerë të tij në burg, raporton TCH.

Vendimi është depozituar rreth mesditës në sekretarinë e Gjykatës së Katanias nga tre gjyqtarët Iarato, Benanti dhe Catena. Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë do qëndrojnë në burg deri në përfundim të procesit penal ndaj tyre.

Provat e paraqitura nga Prokuroria e Katanias, lidhur me përfshirjen e këtij grupi në trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kanë qenë bindëse për gjyqtarët, të cilët e refuzuan rekursin e paraqitur prej tyre, duke konfirmuar arrestin në burg.

Të martën, Moisi Habilaj dhe 5 nga bashkëpunëtorët e tij, të arrestuar tashmë, u paraqiten përpara gjykatës, ku nuk hezituan të mohonin akuzat dhe të kërkonin lirimin e tyre. Kërkesë kjo e konfirmuar nga avokati i Moisi Habilajt për Top Channel, sipas të cilit, akuza është sipërfaqësore.

Tashmë të arrestuarit do të vijojnë të qëndrojnë në qeli, ndërsa nga ana tjetër Prokuroria e Katanias do të nisë përgatitjen e dosjes për dërgimin për gjykim të 12 pjesëtarëve të këtij grupi të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë ndjekur e përgjuar për katër vite, ndërsa janë kapur 3.5 tonë hashash që ata trafikuan drejt Italisë.

Arrestimi i Habilajve në Siçili shkaktoi tërmet politik në Shqipëri. Prokuroria shqiptare kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-ministrit Tahiri, por mori leje vetëm për kontroll personal dhe banese. Dosja “Habilaj” në Itali hapi në Shqipëri çështjen “Tahiri”, e cila për opozitën është kthyer në “kalin e betejës” politike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme