Në pikëkalimin kufitar Bllacë të Maqedonisë konfiskohet rreth një ton marihuanë

Në pikëkalimin kufitar Bllacë të Maqedonisë konfiskohet rreth një ton marihuanë

02 nëntor 2017 10:56

Shkup, 2 nëntor – Në vendkalimin kufitar Bllacë, në hyrje të Maqedonisë, nëpunësit doganorë kanë konfiskuar dje rreth një ton marihuanë, deri më tani sasia më e madhe e drogës së konfiskuar në vend, raporton AA.

Siç njofton Drejtoria Doganore e Maqedonisë, droga është zbuluar në një kamion me targa të Maqedonisë, të drejtuar nga një person nga Shkupi.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në vendkalimin kufitar Bllacë, udhëheqësi i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, duke iu referuar detajeve të konfiskimit, theksoi se pasi automjeti është paraqitur për procedurën tranzit, nëpunësi doganor e ka njoftuar shoferin se do të kryejnë kontroll të hollësishëm. Pas një kohe të shkurtër, shton ai, përfaqësuesi doganor e ka njoftuar nëpunësin doganor se shoferi është larguar nga terminali dhe ka shkuar në drejtim të panjohur duke e lënë automjetin dhe ngarkesën në vendkalim.

"Pas konsultimit me prokurorin publik, është bërë inkuadrimi në kontroll të hollësishëm të gjysmërimorkios, e cila ishte e ngarkuar në Kosovë me letër për riciklim të dedikuar për Turqi. Gjatë kontrollit, me largimin e disa topave të letrave në pjesën e mesme të rimorkios janë zbuluar rreth 839 pako të mbështjella me letër të tejdukshme me peshë të ndryshme. Ato ishin të mbushura me materie bimore me ngjyrë të gjelbër, për të cilat testimi tregoi se bëhet fjalë për lëndë narkotike, marihuanë”, tha Tanasoski, duke shtuar se droga e konfiskuar arrin vlerën prej katër milionë euro.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovki, i cili së bashku me udhëheqësin e Drejtorësisë Doganore e vizituan vendkalimin kufitar ku është konfiskuar droga, theksoi se konfiskimi i kësaj sasie të drogës tregon angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë për qasjen serioze dhe joselektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.

“Ky aksion tregon se kjo qeveri, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria Doganore, janë të vendosura të godasin trafikimin e drogës, armëve dhe të gjitha trafikimet e tjera të palejuara”, u shpreh Spasovski.

Drejtoria Doganore në vijim thekson se me urdhër të gjykatësit për procedurën paraprake, inspektorët e autorizuar doganorë në bashkëveprim me pjesë të Sektorit për Punë të Brendshme – Shkup, kanë kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar.

Procedura parahetimore është në vijim dhe ende po sigurohen gjurmë dhe objektiva të cilat mund të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale. Drejtoria Doganore kundër 37 vjeçarit me iniciale E.B. nga Shkupi, i cili është në arrati dhe është i pakapshëm për organet e ndjekjes, do të parashtrojë kallëzim penal deri te prokuroria kompetente, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale "prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve".

Komentet

Shto koment

Të ngjashme