Fotografia që ia pa sherrin Enver Sekiraça

21 tetor 2017 19:08

I shkurtër ka qenë qëndrimi i Enver Sekiraçës në shtëpinë e tij në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Pasi Gjykata e Apelit e la në arrest shtëpiak nga paraburgimi ku ishte nga janari i vitit 2014, Sekiraça, në mbrëmjen e së premtes është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i, raporton KTV.

Avokatja e Sekiraçës, Kosovare Kelmendi, i ka thënë KTV-së të mos ketë marrë njoftim zyrtar për ndryshimin e urdhrit, që rezultoi me kthimin e tij në paraburgim.

Koha.net ka mësuar se masa që pretendohet të jetë shkelur, është ajo që ia kufizonte Sekiraçës kontaktin me personat me të cilët nuk jetonte.

Të afërm të Sekiraçës, që e kishin vizituar atë, kishin publikuar fotografi në rrjete sociale, kopje të së cilave, kanë qenë të bashkangjitura në kërkesën e parashtruar nga prokurori i rastit.

Image

Në vendimin e ri të Apelit, një kopje të cilën e ka siguruar Koha.net, thuhet “Se kjo është një mospërfillje flagrante e Gjykatës dhe e urdhrit të caktuar, prandaj masa e arrestit shtëpiak revokohet dhe përsëri caktohet masa e paraburgimit”.

Këtë të martë, Sekiraça, do të sillet sërish në Pallatin e Drejtësisë për seancë dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim.

Sekiraça, në majin e vitit 2016, ishte dënuar me 37 vjet burgim për dy vepra penale: shtytje për të kryer vrasje të rëndë dhe detyrim, derisa Gjykata e Apelit, pritet të dalë me vendimin përfundimtar për rastin e tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme