Paraburgim inspektorit të komunikacionit në Kamenicë që kërkoi ryshfet nga një kompani Foto: Koha / ilustrim

Paraburgim inspektorit të komunikacionit në Kamenicë që kërkoi ryshfet nga një kompani

21 tetor 2017 17:31

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurit S. D.

I pandehuri S. D., në pozitën e Inspektorit të Komunikacionit në Komunën e Kamenicës, sipas Gjykatës Themelore, gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ryshfet nga pronari i një kompanie të biznesit, për të kryer një shërbim.

“I dëmtuari menjëherë ka lajmëruar zyrtarët policorë, më pas organet e ndjekjes kanë ndërmarrë të gjitha hapat, duke aplikuar përdorimin e masave të fshehta të simulimit, ku i pandehuri është arrestuar në vendin e punës”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Me këto veprime, sipas kësaj Gjykate, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme