Kronikë

Apeli vërteton aktgjykimin ndaj 17 të akuzuarve për krim të organizuar

Prishtinë, 12 tetor - Kolegji i përbërë nga 2 gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas i Gjykatës së Apelit më 22 gusht 2017 i ka shqyrtuar ankesat e parashtruara në rastin që ka të bëjë me 20 të pandehur me aktakuza të ndryshme për një numër të veprave si Krim i organizuar (Pjesëmarrje në Grupin kriminal të organizuar), në lidhje me veprën penale Kontrabandë me emigrantë (dokumente udhëtimi të falsifikuara), dhe për një numër të akuzave për Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, njoftoi kjo gjykatë përmes një komunikate për media.

Shtatëmbëdhjetë të pandehur kishin parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, PKR 305/2016 të datës 27 mars 2017, me anë të cilit ishin refuzuar kërkesat e mbrojtjes për ta hedhur poshtë aktakuzën si dhe kundërshtimet e tyre ndaj provave.

Gjykata e Apelit, me anë të aktgjykimit PN 475/2017 të datës 25 shtator 2017, i ka hedhur poshtë këto 17 ankesa. Aktgjykimi i kryetarit të trupit gjykues u vërtetua.

Gjykata e Apelit në njoftimin e saj për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes për lirimin nga aktakuza të 20 të dyshuarve për krim të organizuar dhe kontrabandim me emigrantë, nuk identifikonte të akuzuarit. Ndërkohë, merret vesh se fjala është për Ukë Rugovën dhe të tjerët.

Ndaj djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukës, dhe 19 të dyshuarve të tjerë, vitin e shkuar ishte ngritur aktakuzë për “krim të organizuar” dhe “kontrabandim me emigrantë”.