Kronikë

Huliganët në Kërçovë sulmojnë këngëtarin nga Kosova, Shkodran Tolaj

Është sulmuar të enjten në Kërçovë, këngëtari nga Kosova Shkodran Tolaj. Ai është goditur me mjete të forta nga një grup huliganësh maqedonë, derisa po realizonte një videoklip për mërgimtarët kërçovarë, , transmeton rtklive.

Si pasojë e sulmit, këngëtari Tolaj ka marrë lëndime në trup, ndërsa ka pasur edhe gjakderdhje në kokë, konkretisht afër syrit të majtë dhe për pasojë i është nënshtruar tretmanit mjekësor.

Akti i dhunës ndaj këngëtarit Shkodran Tolaj ka ngjallur zemrim dhe reagime të ashpra në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë. “Sulmi kriminal ndaj mjeshtrit të madh të këngës shqipe, Shkodran Tolajt, është i dënueshëm dhe i papranueshëm” thuhet në reagimin e Komunës së Kërçovës, teksa shtohet se “Shkodran Tolaj asnjëherë nuk është kursyer për Uskanën andaj edhe për të Ai ka qenë, është dhe do të mbetet biri i saj” thuhet në reagimin me shkrim.

Lajmi për sulm fizik ndaj tij është bërë publik edhe nga vetë këngëtari Tolaj në faqen e tij në “Facebook”.

“Pavarësisht sulmit brutal dhe lëndimeve që kam marrë, ju informoj se jam më mirë, falë përkujdesjes maksimale dhe ekipit të mrekullueshëm të mjekëve në spitalin e Kërçovës. Njëkohësisht, ju falënderoj të gjithëve nga zemra për përkrahjen morale dhe dua të ju informoj se puna dhe misioni ynë do realizohet deri në fund. Lus të gjithë mërgimtarët kërçovarë që të na bashkohen në Uskanë me 15 tetor për të festuar fitoren e madhe se vetëm atëherë do t’i harroj plagët që i mora sot” ka shkruar në reagimin e tij këngëtari Shkodran Tolaj.