Atentati në Vlorë, qëllohet me armë edhe një fëmijë Foto: Ilustrim

Atentati në Vlorë, qëllohet me armë edhe një fëmijë

01 tetor 2017 13:20

Një fëmijë ka mbetur gjithashtu i plagosur nga atentati i ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se është plagosur fëmija 8-vjeçar i Ferdinand Llanajt, 39-vjeçarit që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit.

I mituri ndodhej brenda automjetit tip “Mercedes-Benz” me targa VL 63 68 C që u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar. Fëmija ka marrë një plumb në krah dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Edhe dy të plagosurit e tjerë Ferdinand Llanaj 39 vjeç dhe Dritan Begaj 50 vjeç që udhëtonin me makinë, kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekim në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, shkruan “syri”.

Ndërkohë, grupi hetimor i policisë së Vlorës ka shoqëruar disa persona që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër makinë në lëvizje. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe për kapjen e tyre, por deri tani nuk kanë asnjë shenjë.

Në vendngjarje është gjetur edhe një armë zjarri tip Pistoletë, ende e paidentifikuar se kujt i përket.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme