Arrestohet personi që mbrëmë vodhi sasi të naftës, një tjetër është në arrati

Arrestohet personi që mbrëmë vodhi sasi të naftës, një tjetër është në arrati

28 shtator 2017 20:32

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka treguar se mbrëmë rreth orës 22:00, të dyshuar të panjohur me një automjet të llojit BMW kanë shkuar në një punishte ku po kryen punë një ndërmarrje private dhe nga makineritë, duke i hapur me forcë rezervuarët, kanë vjedhur sasi të panjohur të naftës.

Policia ka njoftuar se fillimisht të dyshuarit e kishin kanosur rojtarin se po s’u largua do ta pësojë keq. Pasi kishin kryer vjedhjen ata ishin larguar.

“Roja i kishte ndjekur me automjet dhe posa e kuptojnë se roja po i ndiqte, njëri nga ta kishte shkrepur me armë zjarri disa fishekë, e që ende nuk dihet në çfarë drejtimi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me ta pranuar informatën, njësitë patrulluese nga Stacioni Policor “Veriu” kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer hetime intensive me ç’rast i kanë bllokuar rrugët prej nga mund të lëvizin vjedhësit.

Në pamundësi për të ikur, të dyshuarit e kanë braktisur automjetin në një pyll dhe kanë ikur.

Ndërkaq, sot është arrestuar P. P. Nga Sërbica e Epërme dhe pas intervistës në prani të avokatit mbrojtës, është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet nën arrest, ndërsa një i dyshuar tjetër është arratisur.

“Vetura e braktisur është sekuestruar dhe do të shërbej si provë materiale. Ndërsa mbetet të gjendet edhe arma e zjarrit që dyshohet të jetë përdorur”, thuhet në fund në njoftimin e policisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme